Dëshpëron Kosova U21, mposhtet nga Estonia
Kombëtarja e Kosovës U21 e ka mbyllur me humbje aventurën për kualifikueset në Kampionatin Evropian 2025 U21, duke pësuar në udhëtim te Estonia.
Edhe pse ishin favorit, “Dardanët” e rinj nën urdhrat e Afrim Tovërlanit u mposhtën me rezultat 3:1.
Vendasit e nisën më mirë nga fillimi, duke kaluar në epërsi përmes Teevalit, që realizoi nga pika e bardhë (21’).
Ndërsa, ishte Kristal që e dyfishoi epërsinë pas asistimit të Mihhailovit në përfundimin e pjesës së parë (44’).
Situata për Kosovën pastaj veç u përkeqësua kur Ibrahimi u ndëshkua direkt me karton të kuq pas një ndërhyrje (70’).
E tëra që bëri Kosova ishte goli i nderit, i realizuar nga Milot Avdyli, i cili shënoi supergol nga gjuajtja e lirë (77’).
Me një lojtar më shumë, Estonia pastaj përfitoi duke e vulosur fitoren krejt në fund, përmes Usta (88')’
Kësisoj, Kosova U21 i mbyll këto kualifikuese me 12 pikë të fituara, si vend i katërt në tabelë, ndërsa Estonia si vend i pestë me shtatë sosh.