Dëshpëron Ballkani, mposhtet në Fadil Vokrri nga Larne - NACIONALE

Dëshpëron Ballkani, mposhtet në Fadil Vokrri nga Larne

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kampioni i Kosovës, Ballkani, ka pësuar humbje 1:0 ndaj Larnes, në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë, në ndeshjen e parë në raundit të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës.

Ballkani ishte skuadër dominuese në pjesën e parë, por që nuk arritën të konkretizonin rastet, teksa më mirë se kundërshtarët luajtën edhe në vazhdim, por mysafirët shënuan, duke bërë befasi.

45 minutat e pjesës së dytë ishin të ngadalshme për të dy skuadrat, ndonëse Ballkani ishte më e mirë për një nuancë, duke iu afruar golit mjaft shumë me Kryeziun e Emërllahun.

Rregulli i pashkruar në futboll "Kur nuk shënon, pëson" erdhi në shprehje në këtë ndeshje, pasi Xhebrailat nuk arritën të shënonin, ndërsa Larne e çoi topin në rrjetë në minutën e fundit të takimit.

Zhvillohej minuta e 89-të, kur një harkim nga gjuajtja e lirë krijoi probleme te mbrojtja e Ballkanit që ishte në gjumë, me Donnelly që shënoi lehtësisht nga afërsia për 1:0.

Kampioni i Kosovës deri në fund u tregua e pafuqishme për të barazuar të paktën dhe kështu do të udhëtojë në Irlandën Veriore një javë më vonë me disavantazh prej një goli.

Kujtojmë se një vit më parë, Ballkani e mposhti këtë skuadër 7:1 me rezultat të përgjithshëm.

Ndeshja e kthimit zhvillohet më 15 gusht me fillim nga ora 21:00, në Inver Park në Irlandën Veriore.

Lajme të ngjashme