Dembele: Duam ta fitojmë Ligën e Kampionëve
Sulmuesi i Barcelonës Ousmane Dembele ka thënë se objektivi i katalunasve tani është Liga e Kampionëve.
Francezi festoi me katalunasit titullin e kampionit të Spanjë, derisa edicionin e kaluar e fituan edhe Superkupën e Spanjës.
Ai e vlerësoi si një edicion të shkëlqyer por thotë se tani fokusi duhet të jetë te Liga e Kampionëve.
“Ky sezon ka qenë i mirë për Barcelonën. E fituam kampionatin. Është gjithnjë mirë ta fitojmë këtë titull e sidomos pas disa viteve pa e fituar. Kemi gëzuar tifozët e Barcelonës dhe jemi shumë të lumtur gjithashtu”.
“Të gjithë duam ta fitojmë sërish Ligën e Kampionëve sepse nuk e kemi arritur që shumë vite. Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë në Evropë sezonin tjetër”.
“Kanë ndodhur disa faktorë që na kanë ndaluar në dy sezonet e fundit: Kemi pasur shumë lëndime dhe disa vendime të arbitrave kanë ndikuar. Liga e Kampionëve nuk të falë dhe kur bën gabime largohesh”.
“Gjithnjë duhet të jesh i fokusuar në këtë kompeticion sepse nuk të falë. Kjo është. Por jemi shumë të emocionuar, të shohim çfarë do të ndodh sezonin tjetër. Kemi skuadër të mirë”.
Në fund, Dembele shtoi se është afër rinovimit të kontratës dhe pritet të nënshkruajë deri më 2027.
“Negociatat për rinovimin e kontratës po shkojnë shumë mirë. Barcelona dëshiron që unë të nënshkruajë deri më 2027, agjenti im do të diskutojë sërish me ta. Jam shumë i lumtur në skuadër, edhe në shtëpi, pra në Barcelonë”.