Delegati e kundërshtarët dyshuan, FC Kosovari kundërpërgjigjet duke matur portën me metër (VIDEO)
Ndodh edhe kjo në futbollin kosovar. Në Ligën e Tretë të Kosovës, ishte planifikuar përballja mes FC Kosovarit dhe FC Matit në fshatin Bardh i Madh të Komunës së Fushë Kosovës.
Ndonëse janë zhvilluar disa ndeshje deri më tani në fushën e FC Kosovarit, kundërshtarët dhe delegati i ndeshjes, Ali Ajeti, dyshuan se njëra port nuk është në përputhje me standardet që duhet të jetë një portë, pra 7.32 metra.
Për ta kundërshtuar këtë, FC Kosovari, publikoi një video, ku shihet pjestarët e skuadrës duke bërë matjet e portës me metër, për të cilën dyshohej se është më e madhe.
Në pamje shihet se si porta është në përputhje me standardet e kërkuara, pra saktësisht 7.32 metra, por gjithësesi delegati i ndeshjes, Ali Ajeti nuk lejoi që ndeshja të zhvillohej, kërkesë kjo edhe nga skuadra kundërshtare.
Ndeshja me vendim të Komisionit të Garave të Ligës së Tretë është anuluar dhe ende nuk është caktuar ndonjë datë për t'u zhvilluar kjo përballje.
Kujtojmë se Liga e Tretë e Kosovës, është niveli më i ulët i garave në futbollin kosovar.