Del Piero e mbron Osimhenin pavarësisht paraqitjes së dobët ndaj Barcelonës
Legjenda e Juventusit Alessandro del Piero e ka mbrojtur sulmuesin Victor Osimhen, që u kritikua tej mase për paraqitjen e dobët ndaj Barcelonës.
Nigeriani dështoi të impresiononte ndaj Barcelonës në Ligën e Kampionëve, ku humbi disa raste e si pasojë skuadra italiane pastaj edhe u eliminua nga kompeticioni.
Del Piero gjithashtu ka mbetur i zhgënjyer me paraqitjen e sulmuesit, por e ka mbrojtur në përgjithësi.
“Ai dha maksimumin edhe pse ishte në pozitë jashtë loje kaq shumë herë”.
“Sigurisht, kur luan keq në një ndeshje të rëndësishme dëshpërohesh, por kualiteti i lojtarit nuk mund të vendoset në pikëpyetje”.
“Napoli ka pasur një sezon negativ, prandaj s’përballesh gjithmonë me buzëqeshje. Sidoqoftë, qëndrimi i Osimhenit ka qenë gjithmonë pozitiv”, deklaroi ai.
Osimhen ka shënuar 13 gola në 24 paraqitje në të gjitha garat, përfshirë një në raundin e 16-të të Ligës së Kampionëve para dy javëve.
Ky sezon më shumë gjasë do të jetë i fundit te skuadra italiane, ku pavarësisht që nënshkroi kontratë afatgjatë, pritet të largohet në Premierligë, ku disa klube janë të gatshme t’ia aktivizojnë klauzolën e blerjes prej 130 milionë eurove.