Debutim ëndrrash për Mirlind Dakun te Rubin Kazani, shënon dhe asiston ndaj Lokomotivës së Moskës - NACIONALE

Debutim ëndrrash për Mirlind Dakun te Rubin Kazani, shënon dhe asiston ndaj Lokomotivës së Moskës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sulmuesi kosovar, Mirlind Daku, ka bërë debutim ëndrrash te skuadra e re Rubin Kazan, pasi sot në ndeshjen e parë të elitës ruse ai ka shënuar fillimisht e pastaj ka asistuar në barazimin e skuadrës së tij 2:2 ndaj Lokomotivës së Moskës.

Daku që u transferua dy javë më parë nga Osijek te gjiganti rus, është ambientuar shpejt te skuadra e re, duke vazhduar formën e mirë që pati në sezonin që lamë pas te NS Mura ku ishte i huazuar.

Vetëm tre minuta iu deshën 25-vjeçari që të gjente golin e parë te skuadra e re. Ishte një harkim i Ilya Rozhkov në zonë, ku Daku u shkëput më së larti për të shënuar për 1:0.

Lokomotiva barazoi rezultatin në minutën e 23-të me anë të Tiknizyan në 1:1, me të cilin rezultat u mbyll pjesa e parë.

Por 13 minuta pasi filloi pjesa e dytë Rubin Kazan shënoi përsëri. Mirlind Daku pasoi një top bukur në zonë për Joel Fameyeh, i cili kaloi një kundërshtar dhe shënoi lehtësisht për 2:1.

Ndeshja përfundoi me barazim, pasi Wilson Isidor shënoi gol në minutën e 87-të për rezultatin 2:2.

Daku në këtë ndeshje u paraqit për 75 minuta, kur u zëvendësua pas një lëndimi.

Lajme të ngjashme