Zyrtare: Mirlind Daku kalon te gjiganti rus - NACIONALE

Zyrtare: Mirlind Daku kalon te gjiganti rus

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sulmuesi kosovar, Mirlind Daku, ka bërë hapin e madh në karrierë, duke u transferuar te skuadra e madhe ruse, Rubin Kazan, me një marrëveshje trevjeçare siç njofton vetë klubi në rrjetet sociale.

25-vjeçari kaloi sezon të jashtëzakonshëm në Superligën e Sllovenisë te skuadra NS Mura, te e cila ishte në formë huazimi nga Osijek, ku shënoi 18 gola në 32 paraqitje, duke ndihmuar skuadrën të renditej në pozitën e pestë.

Huazimi i tij në Slloveni përfundoi në fund të muajit qershor dhe Daku u kthye te Osijek në Kroaci, për të mos qëndruar gjatë.

Nga sezoni i ardhshëm sulmuesi kosovar do të paraqitet për Rubin Kazan dhe qëndrimi i tij do të zgjasë deri në vitin 2026.

Në njoftimin për transferimin e Mirlind Dakut, faqja zyrtare e Rubin Kazan i ka uruar atij mirëseardhje në skuadër, teksa ka treguar se karriera e tij ka kaluar në disa skuadra si Kukësi në Shqipëri, Mura në Slloveni dhe Osijek në Kroaci, por Daku ka pasur karrierë të begatshme edhe në Kosovë, ku është paraqitur suksesshëm për Llapin dhe Ballkanin si profesionist.

Ndërsa karriera e tij në nivel skuadre po shkon në rritje, e ardhmja e tij me Kombëtare ende nuk dihet, ngase rreth tij është një mjegull e madhe, ku edhe në formën më të mirë nuk është ftuar nga Kosova dhe tani 25-vjeçari nuk e ka mohuar se do t’i bashkohet Shqipërisë në të ardhmen e afërt, sidomos tani që është pajisur edhe me pasaportë shqiptare.

Lajme të ngjashme