Davies drejt Realit, Bayern Munich e bën prioritet Andy Robertsonin
Bayern Munich e ka identifikuar mbrojtësin Andy Robertson si zëvendësuesi adekuat i Alphonso Davies, i cili ka arritur marrëveshje në parim me Real Madridin.
Robertson ka qenë ndër lojtarët kyç në suksesin e Jurgen Kloppit, duke i ndihmuar klubit anglez të fitojë trofe të njëpasnjëshëm që kur iu bashkua nga Hull City për vetëm 8 milionë funte më 2017.
Megjithatë, meqenëse Klopp do të largohet në verë, Robertson është bërë lojtari më i fundit që është lidhur me një largim nga “Anfield” në verën e ardhshme.
Sipas “Daily Mail”, Robertson është në listën e Bayern Munichut për pozitën e krahut të majtë, me gjigantin gjerman që është i bindur se do ta bindin 29-vjeçarin ta pranojë një sfidë të re.
Bayern është duke shikuar disa opsione për ta zëvendësuar Davies, që është pajtuar me kalimin te Real Madrid dhe Robertson po vlerësohet si pasuesi ideal.
Sidoqoftë, skocezi ka edhe dy vite e gjysmë të mbetura në kontratë dhe Liverpooli do të bëjë çmos që ta bind të mos largohet.
“Reds” ndërkohë kanë treguar se mund t’ia dalin edhe pa disa nga lojtarët kryesorë, meqenëse e fituan Carabao Cup me pesë lojtarë të akademisë në formacionin zyrtar.
Duke folur pas finales, Robertson dha lëvdata për mënyrën si klubi i besoi lojtarëve të rinj pavarësisht mungesave të Mo Salah, Trent Alexander-Arnold, Darwin Nunez dhe Diogo Jota.
“Kemi shumë lojtarë dhe shpresoj që të kthehen sa më parë në mënyrë që të bëhemi edhe më të fortë për pjesën e mbetur të sezonit”.
“Nuk ishte rrezikim (të luash me të rinjtë). I shohim çdo ditë në stërvitje. Kualiteti që kanë e shohim tërë kohës në stërvitje. Nuk besuam se ishte rrezikim”.
Ndërkohë, ende nuk dihet nëse Robertson do të pranojë kalimin te Bayern Munich, skuadër kjo që së fundmi po tenton të “peshkojë” shpesh në Premierligë.