Dardan Cena fiton medalje të bronztë në Kupën Evropiane në Slloveni
Xhudisti kosovar, Dardan Cena, ka fituar medaljen e bronztë në kategorinë deri në 73 kilogram, në Kupën Evropiane për U21 që po mbahet në Slovenj Gradec të Sllovenisë.
Cena, 20 vjeç, për të arritur deri te medalja fitoi pesë ndeshje, pasi luftoi edhe në repesazh.
Ai garën e tij në Kupën Evropiane për U21 e filloi prej raundit të dytë, ku e mposhti italianin, Riccardo Roma me Ippon vetëm pas 1 minutë e 54 sekondave.
Për Dardanin fati nuk ishte edhe aq i mirë në raundin e tretë, ku pësoi humbje nga hungarezi, Adam Kalasz në ‘kohën e artë’ siç quhet në xhudo, pas një lufte të gjatë, pothuajse gjashtë minuta.

Por pas kësaj humbje, ai fitoi të drejtën që nëpërmjet repesazhit ta ndjekë medaljen e bronztë, ku ishte thjesht i pandalshëm.
Fillimisht fitoi ndaj bullgarit, Victor Skerlev, pastaj e mposhti Jan Lisy të Çekisë, Darko Topalovic të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe krejt në fund për medalje të bronztë me dy waza-ari e mposhti kazakun, Emir Zakirovin.

Ky për Dardan Cenën, nuk është suksesi i vetëm i madh në këtë vit, pasi në muajin maj ai fitoi medaljen e artë në po të njëjtën garë, e cila ishte mbajtur në Kaunas të Lituanisë, teksa në përgjithësi deri më tani ai ka të fituara gjithsej katër medalje ndërkombëtare (një të artë dhe tri të bronzta).
