Dani Alves dënohet me katër vjet e gjysmë burg për përdhunimin e një gruaje të re në një klub nate
Gjykata e Barcelonës ka dënuar Dani Alves me katër vjet e gjysmë burg për sulmin seksual të një vajze 23-vjeçare në tualetet e një kabine në klubin e natës Sutton në Barcelonë.
Magjistratët e Seksionit 21 i japin besueshmëri rrëfimit të viktimës për ngjarjet dhe e konsiderojnë të provuar se ish-lojtari i FC Barcelonës e ka përdhunuar.
Prokuroria fillimisht kërkoi nëntë vite burg, të cilat prokuroria private në emër të viktimës i rriti në 12. Megjithatë, meqenëse Alves pranoi të paguante dëmshpërblimin prej 150 mijë eurove sa ishte kërkuar, Gjykata vendosi ta zbres dënimin në katër vite e gjysmë.
Gjithashtu Alvesit i është ndaluar t’i afrohet në më pak se një kilometër nga shtëpia apo vendi i punës së viktimës, si dhe ta paguajë 150 mijë euro për dëmet morale dhe lëndimet e shkaktuara.
Gjykata e konsideron të provuar historinë e viktimës për atë që ndodhi në tualetet e dhomës private të Sutton. Alves “papritur e kapi ankuesen, e hodhi në tokë dhe, duke e penguar të lëvizte, depërtoi në të në mënyrë vaginale edhe pse ankuesja tha jo, se ajo donte të largohej”.
E reja nuk kishte lëndime të tjera (përveç një mavijosjeje në gjunjë), por vendimi kujton se “për ekzistencën e sulmit seksual, nuk është e nevojshme që të ndodhin lëndime fizike dhe as të ketë dëshmi të kundërshtimit heroik nga ana e viktimës për të kryer marrëdhënie seksuale.”