Daja: Nevojitej goli i dytë për t’i dhënë qetësi skuadrës - NACIONALE

Daja: Nevojitej goli i dytë për t’i dhënë qetësi skuadrës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, ka komentuar ndeshjen pas humbjes 2:1 ndaj Sivassporit. Ai ka thënë se skuadra krijoi raste por që i mungoi konkretizimi i rasteve. Sipas tij një gol i dytë do t’i jepte qetësi skuadrës në vazhdim.

"Mendoj që kemi bërë një pjesë të parë të një niveli të mirë. Përveç golit kemi pasur disa raste. Duhej ta gjenim golin e dytë për t'i dhënë më shumë qetësi ekipit.

Mungesat e Kuç dhe Gripshit bëri që t'i vononim zëvendësimet. Goli i dytë mund të ishte goli vrastar për kundërshtarin dhe do të kishim mundësi që ta administronim më mirë epërsinë.

Nëse do të bënim aq shumë ndërrime sa bëmë në minutat e fundit, do t'ia lënim gjithçka spontanitetit dhe do ta humbitnim kontrollin dhe manovrën në lojë. Në këto ndeshje nuk mund t'u japësh minuta lojtarëve. Me një ekip si Sivasspori do të kishim akoma më shumë probleme.

Kemi prodhuar lojëra shumë më të mira sesa sot. Mirëpo, ngarkesa është shumë e madhe kur ke 12 lojtarë. Kjo është ajo që na del nga analiza që bëjmë. Të përballosh gara të tilla që luhen në një ritëm më të madh sesa kampionati ynë, nevojiten më shumë alternativa”.

Daja kishte disa fjalë edhe për Thaqin, që ishte shënuesi i vetëm për Ballkanin.

"Ai është prej lojtarëve më në formë. Këtë e ka dëshmuar edhe në fazën e sulmit. Bëhet fjalë për një lojtar modern. Ka dhënë disa pasime të fundit shumë të mira, përveç golave që ka shënuar. Pa diskutim që është lojtari më në formë i ekipit. Armendi me volumin që kishte i ra pak shpejtësia e veprimit."

Ballkani me këtë humbje ia vështirëson vetës punët për kualifikimin tutje, pasi që në dy ndeshjet e ardhshme duhet të kërkojë fitoren në mënyrë që të ketë shanse për fazën e eliminimit direkt.

Lajme të ngjashme