Daja: Në mënyrën si shkuan gjërat jemi të kënaqur me barazimin
Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, thotë se është i kënaqur me barazimin në mënyrën si rrodhën gjërat, por që merituan më shumë, pasi sipas tij bënë një pjesë të parë të mrekullueshme.
Daja tha se goli i parë erdhi nga një gabim në ndërtim të aksionit, më pastaj pësuan edhe të dytin dhe u imponuan të kërkonin rezultatit dhe kjo është arsye e vetme përse ai është i kënaqur me rezultatin 2:2.
“Bëmë një pjesë të parë të mrekullueshme. Patëm rastet tona për të kaluar në avantazh. Bëmë gabim në ndërtimin e aksionit nga poshtë dhe pastaj patëm disa momente hezitimi. Në vazhdim të ndeshjes të dy skuadrat luajtën futboll të hapur, duke tentuar gjithçka dhe në mënyrën si rrodhi ndeshja, duhet të jemi të kënaqur me rezultatin edhe pse merituam më shumë.”
Tutje trajneri nga Shqipëria tha se morën në fund atë që gatuan vetë në pjesën e dytë./Nacionale
“Ta luash një pjesë të parë si ajo e jona e pastaj të marrësh gol në atë formë, të bënë të hysh në panik pastaj e morëm edhe golin e dytë. Duke e kërkuar me dozë emocionale barazimin, besoj se e prishëm lojën tonë. Reagimi jonë nuk erdhi ndoshta me futboll të mirë, por e dërguam rezultatin aty ku donim të paktën me dëshirën për ta bërë këtë. Në fund fare, morëm atë që gatuam vetë dhe që bëmë keq në pjesën e dytë.”
Krejt në fund, Ilir Daja, thotë se ndeshja e radhës, që padyshim është përballja më e mirë e kohëve të fundit, nuk do të jetë përcaktuese për titullin kampion, pasi deri në fund është rrugë e gjatë, por se pohon se janë favoritë dhe se presioni është mbi kundërshtarët./Nacionale
“Fillimisht do ta përgatisim mirë ndeshjen me Dritën. Ne jemi favoritë në këtë ndeshje, pasi jemi vendas dhe kemi dy pikë epërsi dhe presioni bie mbi ata. Besoj se kemi kontingjentin e duhur për të marrë pikët, por futbollit nuk i dihet, prandaj është me tre rezultatet brenda. Kjo ndeshje nuk mund të vendosë për titullin kampion, pasi ka edhe shumë ndeshje tjera deri në përfundim të fazës së katërt të kampionatit.”

