Daja: Ndeshja e kthimit do të jetë e vështirë, por e kemi epërsinë - NACIONALE

Daja: Ndeshja e kthimit do të jetë e vështirë, por e kemi epërsinë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ilir Daja është prononcuar për transmetuesin zyrtar të ndeshjes, RTK-në, pasi skuadra e tij fitoi me rezultat 3:2 kundër Klaksvik.

Ballkani sot ka mundur shumë më lehtë të fitonte, sikur të ishte më syhapur dhe më i vëmendshëm për ta kontrolluar epërsinë prej tre golave.

Sido që të jetë, prapëseprapë ngelet një fitore e rëndësishme, e cila i afrohen suharekasit në kalimin drejt finales së playoff'it të Ligës së Konferencës.

Edhe Ilir Daja është i vetëdijshëm se fitorja ka mundur të jetë më bindëse dhe më e qëndrueshme, por ai në fund shprehet i lumtur për rezultatin e marrë.

Deklarimi i Ilir Dajës pas ndeshjes

Ai tha se fitorja ngelet e rëndësishme, pavarësisht faktit se gjërat u vështirësuan në pjesën e dytë, me mysafirët që rrezikuan edhe ta barazonin rezultatin.

"Po harrojmë që kemi shkuar 3:0 dhe kemi pasur raste të tjera. Kemi pasur presing të lartë. Lojtarët që kanë ardhur nuk janë përshtatur mirë me lojën tonë. Jam i kënaqur me ekipin çka ka bërë, ka mundur të jetë rezultat më i thellë. Mendoj që ajo që duhet të jetë kryesorja duhet të shtojmë kontingjentin e lojtarëve", shtoi ai.

Trajneri shqiptar tregoi edhe se ku është bërë dallimi që mundësoi një pësim të dy golave të shpejtë, gjë e cila tashmë e lë gjithçka të hapur çështjen e kualifikimit për ndeshjen e kthimit.

"Dallimi u bë te ndërrimet që bëri kundërshtari. Ata janë duke e zhvilluar kampionatin dhe kjo ndikoi. Kemi kontrolluar lojën, kemi pasur situata të mira. Do të jetë ndeshje e vështirë ndeshja e kthimit. Jemi në epërsi në ndeshjen e kthimit”, deklaroi Daja.

Ballkani do ta luajë ndeshjen e kthimit më 11 gusht, në një udhëtim të vështirë dhe të largët siç është ai në Ishujt Faroe. Ekipit kosovar për të kaluar tutje do t'i nevojitej qoftë edhe një barazim i vetëm.

Marrë parasysh distancën relativisht të theksuar, Ballkani jo-zyrtarisht mësohet se do të udhëtojë të paktën dy ditë më herët, në mënyrë që të ketë kohën e nevojshme për t'u rigjeneruar.

Klaksvik, ndonëse jo më cilësore sesa Ballkani, do të niset me një përparësi të vetme në ndeshjen e kthimit, e që është përgatitja më e lartë fizike, meqë kampionati në vendin e tyre ka filluar prej kohësh, ku tashmë janë në xhiron e gjashtëmbëdhjetë. Ndryshe nga ai kosovar, i cili do të fillojë gjatë fundjavës së ardhshme.

Lajme të ngjashme