Cristiano Ronaldo në paraqitjen e 200 rekorde ia dhuron Portugalisë tre pikë ndaj Islandës
Portugalia ka arritur të shënojë fitore dhe atë me vetëm një gol të shënuar nga Ronaldo në minutat e fundit të takimit, për ta mposhtur Islandën dhe vazhduar rrugëtimin me të gjitha fitore në katër ndeshje sa ka zhvilluar në grupin J.
Ndonëse skuadra e Roberto Martinez ishte më e mirë gjatë tërë lojës, ata hasën në vështirësi për të shënuar gol.
Cristiano Ronaldo i cili u bë lojtari i vetëm me 200 paraqitje për kombëtare, sërish u tregua vendimtar, ndonëse tani 38-vjeçar.
Ronaldo shënoi golin e vetëm të takimit në minutën e 89-të nga afërsia, me Goncalo Inacio që asistoi për yllin e Al Nassr.
Me këtë rezultat përfundoi takimi dhe Portugalia prin e vetme në grup me 12 pikë maksimale nga katër ndeshje, me ndjekësin më të afërt Sllovakinë që në po aq ndeshje ka 10 pikë, e Luksemburgu e treta me shtatë pikë.
Dy ndeshjet e radhës të Portugalisë në ciklin kualifikues janë më 8 dhe 11 shtator, me Sllovakinë dhe Luksemburgun respektivisht, aty ku mund të kemi epilogun final sa i përket këtij grupi.