Cremonese e Seria A nis negociatat për transferimin e dezertorit të Kosovës - NACIONALE

Cremonese e Seria A nis negociatat për transferimin e dezertorit të Kosovës

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Cremonese e Seria A ka hapur negociatat për nënshkrimin me mbrojtësin që përfaqëson Suedinë, Edvin Kurtulus.

Gazetari i njohur italian, Nicolo Schira raporton se klubi i Seria A ka nisur kontaktet me Hammarbyn për nënshkrimin me dezertorin që la Kosovën për Suedinë.

Sipas tij momentalisht gjithçka është në fazën e fillimit dhe që ende nuk ka asnjë marrëveshje ndërmjet klubeve apo edhe me futbollistin.

Kurtulus ka bërë paraqitje të bukura në edicionin e kaluar te Hammarby, si dhe në edicionin paraprak në fanellën e Halmstads BK.

Dezertori që la Kosovën për Suedinë

Edvin Kurtulus është mjaftë emër i njohur për futboll dashësit tanë sepse deri vonë ishte kapiten i Kombëtares së Kosovës U21.

Ai gjithmonë thoshte se mezi pret ftesë nga A-ja dhe që e sheh si nder përfaqësimin e Kosovës, gjë që normalisht nuk rezultoi e vërtetë, e kjo u zbulua në muajin qershor.

Përzgjedhësi i Kosovës, Alain Giresse publikoi listën për futbollistët e ftuar në qershor, ku "Dardanët" zhvillonin katër sfida të rëndësishme, e një ndër emrat e rinj ishte Kurtulus.

Sidoqoftë, disa ditë pasi pranoi ftesën, Kurtulus iu kërkua nga Suedia që të priste dhe të mos luante më për fanellën “dardane”, gjë e cila u pranua nga vetë futbollisti, pasi siç thotë ky i fundit e kishte parë si hapi i duhur në karrierë.

Gazeta Nacionale kishte raportuar ekskluzivisht që Kurtulus nuk dëshiron të luajë për Kosovën, e më pas brenda disa ditëve edhe u patë bërë zyrtare.

Mbrojtësi që përfaqëson Suedinë më pas debutoi në miqësore, por nuk është se zhvilloi minuta aq sa duhej, e tani mbetet në dyshime nëse do të ftohet për ndeshjet e radhës.

Lajme të ngjashme