Courtois: Ëndrrat vërtet bëhen realitet, por skuadra është e uritur për më shumë trofe
Portieri i Real Madridit, Thibaut Courtois, thotë se ëndrrat bëhen realitet pasi fitoi Ligën e Kampionëve, derisa beson se sezoni tjetër do të jetë shumë më i vështirë.
Belgu kaloi ndoshta edicionin më të mirë në karrierë, duke qenë i jashtëzakonshëm e padyshim lojtari kyç në triumfin e “Los Blancos” në Ligën e Kampionëve, sidomos në finale ndaj “Reds”.
I pyetur për sezonin e ardhshëm, Courtois deklaroi se shkaku i Kupës së Botës do ta shtojë intensitetin, prandaj do të jetë shumë më vështirë.
"Kupa e Botës do ta bëjë këtë sezon me më intensitet se të tjerët. Do të jetë vështirë."
Por, belgu konfirmon se skuadra e Real Madridit është e gatshme të fitojë edhe më shumë trofe, duke nisur nga Superkupa.
"Kjo skuadër është shumë e uritur për më shumë dhe gjithçka do të nis së shpejti përmes ndeshjes të Superkupës."
Courtois nuk hezitoi të flet edhe për finalen e Ligës së Kampionëve ndaj Realit, ku konfirmoi mesazhet e shumta që mori dhe e vlerësoi si një ëndërr të bërë realitet.
"Kam marrë shumë komplimente sidomos pas finales ndaj Liverpoolit. Më bëri shumë të lumtur. Jam i emocionuar për sezonin e ardhshëm, kjo skuadër gjithmonë jep më të mirën, të fitoja Ligën e Kampionëve me Real Madridin është nder i madh, ëndrrat bëhen të vërteta."
Në edicionin e kaluar, Real Madrid e mbylli me tre trofe, si La Liga, Liga e Kampionëve dhe Superkupa e Spanjës, e tani kanë mundësinë të shtojnë edhe dy të tjera.
Fillimisht do të përballen me Eintracht Frankfurt sa i përket Superkupës Evropiane, derisa nëse arrijnë të fitojnë, atëherë do të sigurojnë “biletën” për në Kupën e Botës për klube.
Përballja mes Realit dhe Frankfurtit do të zhvillohet më 10 gusht 2022, në "Helsinki Olympic Stadium".