Çmimi i biletave për ta parë debutimin e Messit në MLS prek qiellin - NACIONALE

Çmimi i biletave për ta parë debutimin e Messit në MLS prek qiellin

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Mbërritja e Lionel Messit në Inter Miami ka shkaktuar ngritje enorme të çmimeve për ndeshjen e mundshme debutuese të tij në Major League Soccer.

Messi njoftoi të mërkurën se do t’i bashkohet Inter Miamit, pas largimit nga kampioni francez Paris Saint-Germain.

Sulmuesi argjentinas mund ta bëjë paraqitjen e parë për skuadrën e MLS-së në përballjen kundër Cruz Azul në Kupën e Ligës në Florida më 21 korrik.

Sipas Onda Cero, tifozët kanë filluar t’i rishesin biletat për atë ndeshje duke kërkuar 8 mijë euro për një sosh.

Messi nuk mund të luajë për Miamin deri në korrik, për shkak se kontrata me PSG-në i përfundon më 30 qershor dhe për faktin se afati kalimtar në MLS nuk hapet deri më 5 korrik.

Inter Miami do t’i zhvillojë dy ndeshje si mysafir para përballjes me Cruz Azul – kundër DC United dhe Saint Louis City – por 35-vjeçari pritet të debutojë në shtëpi.

Messi kishte oferta edhe nga Arabia Saudite dhe nga Evropa, por e zgjodhi klubin amerikan.

Kthimi i tij në Barcelonë ishte i pamundur për shkak të rregullave financiare.

Shtatë herë fituesi i Topit të Artë kishte ofertë edhe nga një klub tjetër evropian, por nënvizoi se në Evropë do të luante vetëm për Barçën.

“E vërteta është se kisha oferta edhe nga një ekip tjetër evropian por as që e kam menduar bile, sepse në Evropë, ideja ishte të shkoja vetëm në Barcelonë”.

“Pasi e fitova Kupën e Botës dhe nuk qesh në gjendje të kthehem në Barçë, është koha të shkoj në MLS për ta përjetuar futbollin në mënyrë tjetër dhe për ta shijuar jetën e përditshme më shumë”, shtoi ai.

Lajme të ngjashme