Çmendën mediet serbe: “Çfarë tradhtie – Bjellorusia do të luajë ndaj Kosovës” - NACIONALE

Çmendën mediet serbe: “Çfarë tradhtie – Bjellorusia do të luajë ndaj Kosovës”

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjatë orëve të fundit zyrtarët e shtetit bjellorus janë deklaruar se nuk do ta pengojnë ekipin kombëtar të tyre që të luajë ndaj Kosovës në kualifikimet e rregullta për Euro 2024. Kjo ka bërë që të çmendet shtypi serb, duke e quajtur “akt tradhtie”.

Të dielën që lëmë pas është hedhur shorti për Euro 2024, ku është mësuar se Kosova do të jetë në grup me Zvicrën, Izraelin, Rumaninë, Bjellorusinë dhe Andorrën.

Dy vende nga vijnë këto kombëtare, gjegjësisht Bjellorusia dhe Rumania, nuk e kanë njohur shtetësinë e Republikës së Kosovës. Të menjëhershme kanë qenë reagimet e para nëse do të zbresin në fushë për të luajtur ndaj ekipit kombëtar “dardan” apo jo.

Gjatë mbrëmjes mediet serbe kanë cituar një deklaratë të ministrit të Punëve të Jashtme të Bjellorusisë, Vladimir Mackay, i cili ka sqaruar se nuk do ta pengojnë kombëtaren e tyre që të luajë ndaj Kosovës, anipse nuk e njohin pavarësinë e shtetit kosovar.

“Është e qartë që nuk e njohim Kosovën si shtet, por vetëm se kemi pasur raste kur përfaqësuesit nga sporti kosovar kanë ardhur të garojnë në kompeticione të ndryshme, siç ka qenë rasti i Lojërave Evropiane vite më parë. Gjatë prezantimit të sportistëve kosovarë ka qenë i pranishëm edhe presidenti i Serbisë”, ka nënvizuar ai.

Ai ka thënë se sporti nuk ka të bëjë asgjë me rrjedhat e politikës. Një gjë e tillë i ka irrituar së tepërmi mediet serbe. Ka qenë e përditshmja serbe “Informer” ajo që lajmin në fjalë në fillim të titullit e ka quajtur, si vijon: “Çfarë tradhtie.”

Në Serbi shpresonin shumë që kombëtaret si Rumania dhe Bjellorusia do të refuzonin që të luanin ndaj Kosovës. Sidoqoftë, këto më shumë sesa dëshira janë iluzione, kur kemi parasysh masat e rrepta që parasheh UEFA ndaj kombëtareve që refuzojnë të luajnë ndaj kombëtareve tjera.

Ndeshja e parë mes Bjellorusisë dhe Kosovës do të luhet më 19 qershor të vitit të ardhshëm, ku bjellosurët do të jenë nikoqirë.

Ndërkaq ndeshja e kthimit do të zhvillohet në javën e fundit të grupit, gjegjësisht më 21 nëntor të vitit 2023.

Kosova përmes zyrtarëve të vet ka deklaruar se pret rezultate të mëdha, ku nga disa prej tyre është përmendur si objektiv edhe përfundimi në pozitën e parë, anipse edhe e dyta mjafton për t’u siguruar plasmani në Evropianin 2024 që do të zhvillohet në Gjermani.

Çfarë tha UEFA për “Nacionalen” gjatë fillimit të javës?

E pyetur nga Gazeta Nacionale nëse Rumania mund të përballet me ndonjë ndëshkim më të rëndë nëse nuk pranon të luajë ndeshjen kualifikuese me Kosovën, UEFA konfirmoi se ajo mund të diskualifikohet nga eliminatoret në bazë të nenit 30 të Rregullores së shtëpisë së futbollit evropian.

“Neni 30 i rregullores së garës e bën të qartë këtë”, tha UEFA për Nacionale.

Neni 30 i rregullores së garave i UEFA-s thekson: “Nëse një Federatë refuzon të luajë apo është përgjegjëse për mos zhvillimin e një ndeshjeje apo mos zhvillimin e saj plotësisht, atëherë Komiteti i UEFA-s për Etikë, Kontroll dhe Disiplinë mund të ndërmarrë masa shtesë disiplinore të cilat vlerësohen si të përshtatshme për federatën në fjalë, përfshirë diskualifikimin nga gara”, sipas nenit 30 të Rregullores së UEFA-s.

Kosova e kishte një telash pak a shumë të ngjashëm edhe me Moldavinë në sezonin 2020/21 të Ligës së Kombeve, e cila nuk kishte pranuar ta mirëpriste Kosovën në vendin e vet, duke e organizuar përballjen si mysafire në Itali.

Megjithatë, Moldavia u detyrua të vijë në Prishtinë për t’u përballur me Kosovën në ndeshjen e dardanëve si vendas.

Lajme të ngjashme