Cluj ngadhënjen sërish ndaj Slavia Prahës, rrëmben pozitën e parë në grupin G - NACIONALE

Cluj ngadhënjen sërish ndaj Slavia Prahës, rrëmben pozitën e parë në grupin G

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Cluj ka përsëritur suksesin e javës së shkuar, duke mposhtur sërish Slavia Prahën me rezultat 2:0. Kjo nënkupton se aktualisht kanë rrëmbyer primatin në grupin G.

Lojë e kujdesshme, pa gabime të mëdha dhe me kundërsulme të shpejta – ishte ajo që karakterizoi Clujin sot ndaj Slavia Prahës, në fitoren e madhe që e arriti në stadiumin “Dr. Constantin Radulescu”.

Kjo ndeshje u karakterizua edhe nga një episod që u shënua në pjesë të parë, kur u ndërpre loja për disa minuta, për shkak se një shikues në tribuna u ndje keq dhe u desh të ndërhynte stafi mjekësor.

Gjithsesi, Slavia Praha e nisi më mirë ndeshjen, duke sulmuar që në fillim. Sido që të jetë, në minutën e 10-të gjyqtari Godinho akordoi penallti në të mirë të ekipit rumun.

Përgjegjësinë për ta ekzekutuar penalltinë e mori Deac. Ai goditi në cepin e majtë të portës kundërshtare, duke mos gabuar, për ta çuar kështu në epërsi ekipin vendës në 1:0.

Pas këtij goli Slavia Praha bëri gjithçka nga vetja që ta rikthente rezultatin në baraspeshë. Deri në fundin e pjesës së parë u shënuan shumë raste për çekët, por nuk ia dolën që t’i konkretizonin ato.

Në pjesën e dytë Cluji ishte më i qartë dhe e nisi më mirë. Nga disa ndërprerje rrezikoi që ta shënonte golin e dytë, falë shtatlartësisë së lojtarëve të caktuar.

Slavia Praha provoi sërish që me disa aksione të shpejta ta zinte në befasi Clujin, mirëpo atyre u mungonte të qenët konkretë para portës. Goditjet nga gjysmë distanca vijonin të ishin jo të sakta.

Kështu, në minutën e 84-të nga ekzekutimi i një këndoreje, Cluj gjeti golin e radhës. Ishte Matias ai që fitoi duelin në zonë dhe me kokë dyfishoi epërsinë.

Minutat në vazhdim u luajtën vetëm formalisht, pasi Cluji mjaft mirë ia doli që ta mbrojë rezultatin në favor të vet.

Pas kësaj fitore, Cluji shkon në kuotën e 7 pikëve në grupin G, ndërsa Slavia Praha ngelet me 4 pikë, duke pësuar humbjen e dytë radhazi në Ligën e Konferencës.

Varësisht nga epilogu që do të marrë ndeshja mes Ballkanit dhe Sivassporit, do të mësohet edhe renditja e këtij grupi pas përfundimit të xhiros së katërt.

Cluji ka disa javë që ka marrë veten dhe formë të ngjashme po shënon edhe në kampionat. Andaj, për Ballkanin nuk do të jetë aspak e lehtë sfida ndaj rumunëve, kur dihet se këta të fundit do të luajnë si nikoqirë. Ndeshja mes tyre do të zhvilloihet në xhiron e fundit të këtij grupi.

Lajme të ngjashme