Ballkani e synon "mrekullinë e dytë" ndaj Sivassporit
Kampioni i Kosovës, Ballkani, ditën e enjte do ta synojë "mrekullinë e dytë" ndaj skuadrës turke, Sivasspor.
Pas fitores si mysafir, "Xhebrailat" kanë nisur të ëndërrojnë për kualifikimin në 16 më të mirat, andaj nevojiten pikët e plota në "Fadil Vokrri".
Dje, në konferencë për media, trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, u shpreh se nuk ka ndeshje të lehta, por që duhet të bëjnë më shumë në ndeshjen e sotme.
“Duke nisur nga fakti që të gjitha në grup kemi pikë të barabarta, tregon që nuk ka ndeshje të lehta dhe një javë më parë Sivasspor ishte ajo që kryesonte grupin së bashku me Slavia Praha dhe mendoj se ne jemi gati, por se në këtë ndeshje duhet të bëjmë më shumë seç kemi bërë një javë përpara në mënyrë që të marrim atë që presim", tha ai.
"Sa më lart të shkojmë, më të vështira bëhen gjërat, por me mbështetjen e tifozëve nga Kosova, veçanërisht "Xhebrailat" e Suharekës, mund të bëhet më e lehtë, por, gjithashtu, mbushja e stadiumit e rrit pritshmërinë, që do të thotë se përgjegjësia jonë është edhe më e madhe", shtoi Daja.
Ndërsa mesfushori i Ballkanit, Qëndrim Zyba, deklaroi se ardhja e tifozëve në stadiume është motiv shtesë dhe duan t'ua shpërblejnë atyre këtë mbështetje.
“Ne i kemi pasur shikuesit në numër të madh gjatë çdo ndeshjeje. Normalisht, kjo është një përkrahje që na motivon dhe aspak nuk na emocionin. Shpresojmë të jemi me këmbë në tokë dhe ta shpërblejmë këtë mbështetje”, deklaroi ishi i Prishtinës.
Ndërkohë stadiumi “Fadil Vokrri” sonte do të jetë plotësisht i mbushur, pasi janë shitur të gjitha biletat në mbështetje të kampionit të Kosovës.
Për fund, kujtojmë se sfida mes Ballkanit dhe Sivassporit do të nisë në orën 21:00.