Chisora i hakmerret Pulevit, e mposht në Londër - NACIONALE

Chisora i hakmerret Pulevit, e mposht në Londër

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Boksieri Chisora ia doli t'i hakmerret Pulevit pas gjashtë viteve, duke fituar me rezultat të ngushtë 116-112, 116-114 dhe 112-116.

Boksierët Derek Chisora dhe Kubrat Pulev janë ndeshur njëri me tjetrin pas gjashtë viteve. Rimeçi i tyre u karakterizua me një luftë të ashpër.

Ishte luftë e peshave të mëdha. Bëhet fjalë për dy veteranë të boksit. Para fillimit të meçit të sontëm, të dytë patën arritur deri në një pikë, ku ose fitorja ishte e vetmja gjë që vlente, ose në të kundërten si opsion rezervë e kishin pensionimin nga boksi.

Chisora është 38-vjeç, kurse bullgari Pulev 41-vjeç. Në vitin 2016, kur u zhvillua meçi i parë mes dyve, në fund pati ngadhënjyer Pulev, me ç'rast edhe fitonte titullin evropian.
Megjithatë, kësaj radhe gjërat shkuan paksa më ndryshe.

Komenti i meçit përmbledhurazi

Rundi i parë nisi me një meç plot gjallëri, me Chisora që u mundua të jetë më i ashpër në minutat e para, por pastaj Pulev u mbrojt mirë.

Në rundin e dytë, Pulev, me të majtën e tij filloi ta marrë veten, por gjithnjë edhe ky rund u karakterizua me një kujdes nga të dy boksierët.

Rundi i tretë nisi me Chisoren që ishte më në element. Përgjithësisht, komentatorët e gjigantit televiziv që mbuloi këtë meç, DAZN, i dhanë më shumë elozhe Chisores për atë çfarë ishte duke treguar deri në atë pikë të meçit.

Në rundin pasues, atë të katërtin, Pulev iu vërsul me goditje Chisores, por ky i fundit arriti të mbrohej mjaft mirë, duke mos i dhënë hapësirë që të përfundonte në dysheme.

Tek në rundin e pestë, Pulev filloi ta marrë veten. Madje, kjo fillimisht u duk si një pikë kthese, pasi ai tregoi një boks të mirë.

Rundi vijues, ai i gjashti, ishte i barazpeshuar, me të dy boksierët që u munduan të jenë sa më sulmues, por njëherazi që të dytë u mbrojtën në mënyrë adekuate për ta evituar më të keqen.



Gjithçka po shkonte drejt një sfide të barabartë. Në rundin e shtatë, falë përvojës dhe dinakërisë të tij, Chisora me një goditje të fuqishme ia lëndoi syrin e djathtë boksierit Pulev, i cili shumë shpejt u mundua t'i kundërpërgjigjej me të njëjtën monedhë.

Rundi i tetë filloi me një qasje ndryshe nga Pulev, i cili ishte më kërkues dhe sulmues. Me ç'rast, ishte më i mirë, duke dominuar tërë kohën.

Pulev e filloi më mirë edhe rundin e nëntë. Ishte ai që insistonte më shumë në goditje, por lodhja filloi të ndjehej në të dy anët. Njëherazi, rundi i nëntë ishte aq shumë i hapur, aq sa u vlerësua si njëri ndër më të mirët në historinë e boksit të peshave të rënda.

Në rundin pasues, atë të dhjetin, Chisora filloi të mbizotëronte në ring. Ai e dominoi në tërësi këtë rund, duke u shfaqur shumë këmbëngulës. Godiste tërë kohën kundërshtarin dhe me raste krijonte përshtypjen se po i afrohej triumfit.

Rundi i njëmbëdhjetë foli në të mirë të bullgarit Pulev. Boksierët filluan ta ulin ritmin dhe të mos rrezikojnë shumë me t'iu afruar rundit të fundit. Meçi me raste dukej shumë i ekuilibruar edhe në këtë rund, sado që me faza Pulev ishte më i mirë.

Kështu, boksierët nisën të boksojnë edhe në rundin e fundit, sado që ishin në limitet e energjive të tyre. As në këtë rund ata nuk arritën që ta hedhin në dysheme njëri-tjetrin për ta mbaruar meçin më herët.

Në fund u takoi gjyqtarëve të meçit ta jepnin epilogun e tyre përfundimtar. Sipas pikëve, ata shpallën fitues Chisoran, me rezultat 116-112, 116-114 dhe 112-116.

Thënë ndryshe, ky ishte meçi i tyre i dytë që u zhvillua dhe, njashtu, i dyti ku fituesi u determinua nga votat e gjyqtarëve. Në 2016-en ata shpërblyen Pulevin, kurse tani Chisoran.


Përgjithësisht, ishte një meç shumë i luftuar dhe me raste tej mase i hapur, ashtu siç kanë dëshirë të shohin të apasionuarit e boksit.

Lajme të ngjashme