Chelsea zhgënjen edhe kundër West Hamit, regjistron barazimin e tretë rresht - NACIONALE

Chelsea zhgënjen edhe kundër West Hamit, regjistron barazimin e tretë rresht

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Chelsea sërish nuk ka arritur t’i arkëtojë tre pikët e plota. Kësaj radhe barazoi 1:1 në udhëtim kundër West Ham, në një ndeshje ku pati edhe shumë ankesa rreth ndarjes së drejtësisë.

Potter akoma po has në vështirësi që t’i japë një dimension fitueseje skuadrës së tij, përkundër investimeve të mëdha e të pabesueshme që ka bërë pronari amerikan Boehly.

Megjithëse Chelsea mbizotëroi në lojë, nuk arriti të shfaqej mjaftueshëm klinike për të marrë një fitore në udhëtim në “London Stadium”.

Ndeshja nisi më mirë për skuadrën nga “Stamford Bridge”. Në mënyrë brilante Enzo Fernandez gjeti të lirë në minutën e 16-të Felixin. Ky i fundit kontrolloi bukur topin në zonë të rreptësisë dhe i papenguar nga mbrojtësit e West Hamit, pati kohën e duhur për të goditur saktë për 1:0.

Megjithatë, epërsia e mysafirëve zgjati vetëm dymbëdhjetë minuta. Në skenë doli mbrojtësi italian, Emerson, i cili nga shtylla e dytë i shënoi ish-skuadrës së tij, për t’i gëzuar pa masë tifozët e zhurmshëm që ishin në shkallët e stadiumit në përkrahje të “Çekanëve”.

Në pjesën e dytë gjithçka ishte më shterpe për nga aspekti i lojës. Chelsea nuk e bëri qoftë edhe një goditje të vetme në kuadrat të portës.

Sido që të jetë, në fund të ndeshjes mysafirët kërkuan një penallti në minutën e 90-të, pasi Soucek qartësisht preku me dorë topin. Gjyqtari i ndeshjes la që loja të vazhdonte, pa shkuar fare që ta rishikonte në ekranin e VAR-it vetë ai aksionin në fjalë.

Me këtë rezultat 1:1 mbaroi edhe ky takim. Ky ishte barazimi i tretë radhazi për ekipin e Chelseat. Edhe në renditje tabelore situata për “Të Kaltrit” vijon të jetë jo e mirë.

Chelsea zë pozitën e 9-të me 22 pikë të grumbulluara, kurse West Ham ndodhet në pozitën e 15-të tabelore me 20 pikë sa ka tubuar.

Përmbledhja e ndeshjes West Ham - Chelsea:

Lajme të ngjashme