Chelsea triumfon ndaj Salzburgut dhe avancon tutje, Sevilla mposht Copenhagen
Chelsea ka shënuar fitore në udhëtim te RB Salzburg duke siguruar avancimin në raundin e 16-të në Ligën e Kampionëve (1:2), derisa Sevilla triumfoi ndaj Copenhages (3:0).
"Blutë" e Londrës zhvilluan lojë të bukur duke fituar në fund me rezultat të ngushtë 1:2.
Mesfushori Mateo Kovacic me një goditje të bukur pas një topi të kthyer nga Kai Havertz realizoi për 0:1, duke kaluar mysafirët në avantazh (23').
Vetëm tre minuta më vonë, Pierre-Emerick Aubameyang kishte rastin e artë nga afërsia, por që nuk e konkretizoi.
Chelsea kishte edhe disa raste të tjera deri në përfundimin e kësaj pjese, por që nuk ia doli të realizojë derisa Salzburg provonte me kundërzbritje, që gjithashtu nuk u konkretizuan.
Në pjesën e dytë, Salzburg e nisi më së miri ku pas një kundëraksioni të shpejtë Maximilian Wober për mrekulli gjeti Junior Adamu, i cili me një goditje të saktë mposhti Kepan për të barazuar rezultatin (49').
Sidoqoftë, Chelsea nuk e ndryshoi ritmin e lartë të lojës edhe në pjesën e dytë, me Kai Havertz i cili shënoi një gol tejet të bukur duke e lënë të shtangur portierin vendas (64'). Gol ky që rezultoi të jetë i fitores.
Vlen të ceket se në minutën e 82-të për Salzburgun u inkuadrua në fushë edhe futbollisti me prejardhje nga Kosova, Dijon Kameri duke zëvendësuar Matthias Jaissle.
Me këtë fitore, Chelsea avancon tutje me 10 pikë të mbledhura, derisa Salzburg duhet të shpresojë në një gabim të AC Milanit pasi renditët e dyta me gjashtë pikë.
Kujtojmë, se AC Milan dhe Dinamo Zagreb që do të përballen pas pak kanë nga katër pikë të mbledhura.
Në anën tjetër, Sevilla ka "shijuar" fitoren e parë në këtë fazë të grupeve duke mposhtur në shtëpi Copenhagen.
Spanjollët dominuan tërë kohën dhe me plot meritë arkëtuan pikët e plota me rezultat 3:0.
Ishte Youssef En Nesyri që theu "akullin" duke kaluar në epërsi Sevillan pas një asistimi të Papu Gomez (61').
Kurse, në fund shënuan edhe dy herë të tjera për të siguruar fitoren. Fillimisht mesfushori me tipare ofensive Isco, që u asistua nga Acuna dyfishoi rezultatin (90+1'), e pastaj Gonzalo Montiel kompletoi fitoren (90+3').
Sevilla me këtë fitore mbetet në garë për t'u kualifikuar, por shpresat do t'iu rrëzohen nëse Dortmund mposht Man Cityn. Ata kanë pesë pikë të mbledhura, dy më pak se skuadra gjermane.
Në anën tjetër, për Copenhagen merr fund gjithçka dhe eliminohen si pozitë e fundit me dy sosh.