Chelsea triumfon kundër Newcastle falë mjeshtërisë spektakolare të Havertz
Chelsea ka siguruar një fitore të vështirë kundër Newcastlet me rezultat 1-0, në 'Stamford Bridge', në përballjen e vlefshme për javën e 29 në Premier Ligë, të dielën pasdite.
'Të Kaltërit' po kalojnë nëpër një periudhë të vështirë për arsye që nuk ndërlidhen me lojën brenda fushës.
Roman Abramovich është 'ngrirë' nga të gjitha funksionet e tij në klubin, i cili është vënë në shitje dhe po pret ndryshim pronarësh së shpejti.
Sidoqoftë, Thomas Tuchel po e jep maksimumin që këto probleme t'i mbajë jashtë fushës së lojës, derisa po vazhdon të fitojë ndeshje pas ndeshjeje.
Mirëpo, sot ishte afër të fitonte vetëm një pikë si nikoqir i Newcastlet, po të mos ishte për momentin magjik të Kai Havertzit në minutën e 89.
Jorginho, me një pasim drithërues, gjeti në zonë gjermanin, i cili pati punë të vështirë ta kontrollonte topin në hapësirë të ngushtë.
Megjithatë, ai ishte më shumë se i aftë të dhuronte një prekje thjesht spektakolare, me topin që goditi dheun për t'u ngritur sërish lart, para se ta godiste në mënyrë precize me të jashtmen për të shënuar golin e vetëm të ndeshjes.
Pas kësaj fitoreje, Chelsea grumbullon 59 pikë dhe mbetet në pozitën e tretë, plot shtatë pikë prapa Liverpoolit dhe nëntë prapa Manchester Cityt.
Në anën tjetër, Newcastle ka 31 pikë dhe zë vendin e 14.