Chelsea nuk sheh dritë me sy, pëson humbjen e radhës nën kontestimet e mëdha të tifozëve të vet
Fulham ka arritur ta mposhtë 2:1 Chelsean, në sfidën që u luajt sonte në Premierligë. Një humbje që u shoqërua me një mal kontestimesh nga tifozët e Chelseat.
Graham Potter nuk po mund ta këndellë skuadrën e tij. Ajo edhe sot e mori një tjetër dush të ftohtë. Goditje e radhës erdhi nga skuadra londineze, gjegjësisht Fulham.
Ishte ish-sulmuesi brazilian i Chelseat, Willian, ai që i pari arriti ta shkundë rrjetën, duke kaluar kështu vendësit në epërsi. Zhvillohej minuta e 25-të kur braziliani u lirua mjaft mirë në zonë dhe koordinoi një goditje në fortë. Goditje kjo që u devijua paksa – mjaftueshëm sa për të përfunduar në rrjetë për 1:0.
Mysafirët përkundër që mbizotëruan më shumë sa i përket qarkullimit të topit dhe goditjeve në drejtim të katërkëndëshit – në pjesën e parë nuk arritën qa ta rikthenin ndeshjen në baraspeshë.
Megjithatë, pjesa e dytë nisi mirë për “Të Kaltrit”. Mbrojtësi senegalez, Koulibaly, u gjend më së miri në zonë gjatë një këndore që në minutën e 47-të u ekzekutua. Goditjen e tij me këmbë u mundua ta ndalë portieri, por topi vetëm se kishte kaluar vijën e portës – duke barazuar kështu rezultatin në 1:1.
Potter dhe Chelsea në një formë u “tradhtuan” nga emocionet e debutuesit të kësaj ndeshje Joao Felix. Ylli portugez në minutën e 59-të shkaktoi një ndërhyrje horror në këmbët e Ronbinson. Gjyqtari i ndeshjes pa hezituar e ndëshkoi atë me të kuq. Kështu ai u bë futbollisti i parë i Chelseat që debuton dhe përjashtohet nga loja, duke shënuar kështu një rekord të zi personal.
Fulham në minutat në vijim përfitoi mjaft mirë nga superioriteti numerik që u krijua në fushë. Kështu, pas një harkimi të mirë të Pereiras, me qendërmbrojtësit e hutuar të Chelseat – ishte Carlos Vinicius ai që u shfaq nga plani i dytë, për të goditur bukur në drejtim të portës, duke kthyer kështu epërsinë për vendësit.
Në minutat e mbetura skuadra e Fulham arriti ta menaxhojë kapitalin prej një goli, i favorizuar shumë edhe nga fakti që ishte me një lojtar më shumë në fushë për më shumë se gjysmë orë lojë.
Kjo humbje nuk u kapërdi mirë aspak nga tifozët e Chelseat, të cilët thërrisnin në kor që Potterin po e priste shkarkimi. “Do të shkarkohesh që nesër në mëngjes” – ishte njëri nga koret.
Pas këtij rezultati, Chelsea ngelet në pozitën e 10-të me 25 pikë, kurse Fulham zë pozitën e 6-të me 31 pikë, pasi ka zhvilluar 19 xhiro deri tani.

Raporti i ndeshjes Fulham 2:1 Chelsea:
