Chelsea në kërkim të një mbrojtësi të djathtë, emri i fundit në listë është Kyle Walker-Peters
Pasi Jules Kounde u transferua te Barcelona, Chelsea është në kërkim të një opsioni tjetër për krahun e djathtë të mbrojtjes. Walker-Peters është emri i fundit që po vëzhgohet.
Chelsea e kishte vëzhguar me muaj të tërë, por në fund preferenca e Kounde ishte të kalonte në Camp Nou, e ndikuar paksa edhe nga mosbindja e Chelseat për ta kompletuar transferimin e tij, për arsye që nuk janë të ditura, por që një fakt të tillë e ka konfirmuar vetë drejtori sportiv i Sevillas, Monchi, gjatë javës së kaluar.
Mbrojtja është vazhdimisht në reformim e sipër te Chelsea, pas disa largimeve dhe disa lojtarëve që janë të pakënaqur, siç është Azpilicueta, e ardhmja e të cilit te londinezët duket çdo ditë e më e mjegulltë.
Për Tuchel mbetet shumë e rëndësishme që ta ketë një alternativë për James, për të mos pasur ndonjë problem gjatë sezonit, i cili në Angli di të jetë sfilitës, ku orari i ndeshjeve mund ta kalojë edhe shifrën e 60 sosh, siç ndodhi me Liverpoolin gjatë sezonit që lëmë pas.
Kyle Walker-Peters, alternativa e re
Denzel Dumfries u bë emri më i përfolur, pasi dështoi transferimi i 23-vjeçarit francez, Kounde.
Megjithatë, në orët e fundit Chelsee është duke menduar edhe për emra të tjerë, në mënyrë që të mos mbes peng i një negociate, duke marrë mësim edhe nga përvoja e hidhur me Sevillan për Kounde.
Siç mëson eksperti i transferimit të lojtarëve, Fabrizio Romano, Kyle Walker-Peters i Southampton është lojtari i cili po vëzhgohet për t'u transferuar në Stamford Bridge.
Mbrojtësi anglez ka luajtur në 32 ndeshje të Premierligës gjatë edicionit 2021/2022, ku ka shënuar një gol dhe dhuruar dy asiste tjera. Për momentin Chelsea nuk është se ka bërë ndonjë ofertë për të, por thjesht është në fazën ku ka interesim për 25-vjeçarin anglez.

