Chelsea mposht Dortmundin, kalon në çerekfinale të Ligës së Kampionëve
Chelsea ka shënuar një fitore shumë të rëndësishme në Stamford Bridge ndaj Borussia Dortmundit me rezultat 2:0, për t’u kualifikuar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Të kaltrit ishin në presion shumë të madh, pasi po vijnë nga një formë shumë e keqe në kampionatin anglez, ku pas tërë atyre shpenzimeve në afatet kalimtare, nuk kanë arritur ta gjejnë rehatinë, por ndeshja e sotme tregoi një skuadër që luftoi për një rezultat pozitiv.
Fitorja ishte e vetmja mundësi për të udhëhequrit e Graham Potter, pasi po vinin nga një humbje 1:0 nga ndeshja e parë, ndërsa me rezultatin e sotëm, rezultati i përgjithshëm doli të jetë në të mirë të Chelseat, 2:1.
Ndeshja e dytë ishte deri diku e baraspeshuar. Të dy skuadrat patën rastet e mira për të shënuar, me Chelsean që për një nuancë kishte shanse më të mira, dhe arriti t’i konkretizonte në gola, për dallim nga skuadra gjermane./Nacionale
Goli i parë në ndeshje erdhi në minutën e 43-të, kur Raheem Sterling barazoi rezultatin e përgjithshëm dhe kaloi Chelsean në epërsi 1:0 me një gol të bukur.
Pjesa e parë përfundoi me këtë rezultat, ndërsa në të dytin londinezët shënuan edhe një herë.
Zhvillohej minuta e 48-të kur Ben Chilwell tentoi një harkim në zonë dhe topi u ndalë me dorë nga vija mbrojtëse e skuadrës mysafire. Gjyqtari kryesor nuk bëri me shenjë, por pas intervenimit të VAR-it, penalltia u akordua.
Nga 11-metërshi përgjegjësinë e mori Kai Havertz, i cili gaboi në herën e parë duke goditur shtyllën, por paraprakisht lojtarët prapa kishin hyrë më herët seç duhej në zonë dhe penalltia u kthye në pikën zero, me gjermanin që në herën e dytë ishte i saktë, për të shënuar për 2:0./Nacionale
Me këtë gol u vendos edhe fati i takimit, pasi ndeshja përfundoi kështu dhe fal rezultatit të përgjithshëm 2:1, Chelsea u bë skuadra e dytë që siguron çerekfinalen e Ligës së Kampionëve.
Paraprakisht çerekfinalen e siguroi edhe Benfica që fitoi me rezultat të thellë ndaj Club Brugge 5:1, apo rezultat të përgjithshëm 7:1.
Kujtojmë se për çiftet çerekfinale, shorti do të tërhiqet në të premten e ardhshme, pasi të kenë përfunduar të gjitha ndeshjet e 1/8 së finales.


