Chelsea merr fitoren e katërt në Ligën e Konferencës, mposht Heidenheim
Chelsea ka regjistruar edhe fitoren e katërt radhazi në Ligën e Konferencës, duke triumfuar në udhëtim te Heidenheim.
“Blutë” arkëtuan pikët e plota falë një fitore komode 0:2, sfidë që e dominuan nga fillimi.
Mysafirët me lojë agresive nga fillimi duke pasur disa mundësi shënimi me Mudryk e Nkunkun, por dështuan t’i finalizuan.
Ishte Christopher Nkunku që e kontrolloi për mrekulli një pasim të fortë të Jadon Sanchos për t’i dhënë epërsinë Chelseas (51’).
Vendasit pastaj shënuan përmes Maximilian Breunig, mirëpo që VAR-i e anuloi për pozitë jashtë loje.
Fitoren e Chelseas e vulosi Mykhailo Mudryk pas një tjetër asistimi të Sanchos (86’).
Heidenheim në fakt shënuan prapë përmes Breunig, por sërish u anulua për pozitë jashtë loje.
Chelsea ka 12 pikë në kreun e Ligës së Konferencës, kurse Heidenheim renditet në pozitën e gjashtë me nëntë sosh.