Chelsea fiton sërish derbin ndaj AC Milanit, Real Madrid në "frymën e fundit" barazon ndaj Shakhtarit
Chelsea ka shënuar fitore sërish në derbin ndaj AC Milanit (0:2), derisa Real Madrid në "frymën e fundit" ka arritur të fitojë një pikë ndaj Shakhtar Donetks (1:1).
Në derbin e zhvilluar në "San Siro", Chelsea fitoi me rezultat komod 0:2, me "Rossonerët" që ishin në fushë me 10 lojtarë që nga minuta e 18-të.
Ishte Fikayo Tomori që u ndëshkua direkt me karton të kuq pasi kapi për fanelle Mason Mount, e kësisoj u akordua 11-metërsh për mysafirët.
Nga pika e bardhë i pagabueshëm ishte italiani Jorginho, që kaloi Chelsean në epërsi (21').
Pas golit të pësuar, Milan nisi menjëherë sulmet e shpejta, por që skuadra angleze përfitoi me një kundërsulm, ku Mason Mount gjeti Pierre-Emerick Aubameyang, i cili ishte i pagabueshëm nga afërsia (34').
Pjesa e dytë ishte e barabartë, me Chelsean që prapë kishte më shumë raste, mirëpo nuk arriti t'i konkretizojë.
"Blutë" rrezikuan sërish përmes Aubameyang, që kishte një rast të artë nga afërsia, por që nuk e finalizoi.
Ndërkohë, Milan rrezikoi përmes Sergino Dest, por goditja e amerikanit gjithashtu nuk përfundoi në rrjetë.
Kështu, Chelsea merr primatin në grupin E me shtatë pikë, derisa Milan tani rrezikon mos kualifikimin duke qenë në pozitën e tretë me katër sosh.
Në anën tjetër, Real Madrid në fundin e ndeshjes arriti të arkëtojë një pikë në udhëtim te Shakhtar Donetsk me rezultatin përfundimtar që doli të jetë 1:1.
"Los Blancos" dominuan plotësisht në tërë sfidën, por që assesi nuk arritën t'i finalizojnë aksionet.
Karim Benzema kishte një rast të mirë në fillimin e ndeshjes, por që portieri vendas bëri një pritje të bukur që t'ia mohojë golin.
Shakhtar pastaj rrezikoi përmes Zubkov, mirëpo Lunin bëri disa pritje që ta mbante rezultatin 0:0.
Në fillimin e pjesës së dytë, Bogdan Mykhaylichenko harkoi për mrekulli duke gjetur Zubkov, që nuk ishte markuar nga Mendy dhe ky i fundit e kishte të lehtë të shënonte me kokë nga afërsia (46').
Kur askush nuk e priste, Toni Kroos gjeti për mrekulli Antonio Rudiger i cili u përplas me portierin duke shënuar me kokë, edhe pse u lëndua keq (90+6').
Kështu, "Los Blancos" kualifikohen në raundin e 16-të të Ligës së Kampionëve duke qenë lider në grupin F me 10 pikë, derisa Shakhtar tani bie në pozitën e tretë me pesë sosh.
Në xhiron e radhës, Real Madrid do të përballet me Celticun, derisa Shakhtar dhe Leipzig do të luajnë për pozitën e dytë.