Chelsea e Fiorentina e fillojnë mbarë në Ligë të Konferencës, shënojnë fitore të lehta
Chelsea e ka nisur shumë mirë në Ligë të Konferencës, duke shënuar fitore 4:2 ndaj Gent, e në anën tjetër ka fituar edhe Fiorentina, duke e mposhtur 2:0 TNS.
Chelsea ishte larg skuadër më e mirë në këtë takim, duke konfirmuar formën e mirë në këtë sezon.
Renato Veiga shënoi për 1:0 në minutën e 12-të, që ishte goli i vetëm i pjesës së parë.
Pedro Neto e dyfishoi epërsinë me të filluar pjesa e dytë, teksa në minutën e 50-të, Gent, e ngushtoi epërsinë në 2:1 me anë të Watanabes.
Christopher Nkunku shënoi për 3:1 në minutën e 63-të, teksa shtatë minuta më vonë Dewsbury-Hall i çoi shifrat në 4:1.
Krejt çfarë Gent arriti deri në fund, ishte edhe goli i dytë, i shënuar në minutën e fundit nga Gandelman, për rezultatin përfundimtar 4:2.
Chelsea kështu e nis mirë në Ligë të Konferencës, pasi njëjtë e ka nisur edhe në Premierligë.
Në anën tjetër, Fiorentina, ka shënuar fitore 2:0 ndaj TNS.
Të dy golat e takimit u shënuan në pjesën e dytë.
Fillimisht ishte Yacine Adli, që shënoi për 1:0 në minutën e 65-të, teksa katër minuta më vonë Moise Kean realizoi për 2:0.
Skuadra italiane, pas një fillimi jo të mirë në Serie A, në Ligë të Konferencës e ka nisur shumë mirë, pasi siç dihet në fazën e ligës, çdo pikë është e mirëseardhur, për të kaluar në fazën tjetër të garës.