Çeku: Deri në vitin 2028 do të jemi të parët në rajon për infrastrukturën e futbollit
Ministri i Sportit Hajrullah Çeku është zotuar se Kosova do të jetë e para në rajon për infrastrukturën e futbollit, ndërsa brenda këtyre viteve do të kompletohet edhe ndërtimi i stadiumit nacional.
Çeku ka deklaruar se Kosova po investon mbi 200 milionë euro në mënyrë që ta kompletojë tërë infrastrukturën e futbollit në vend.
Përpos kësaj, ai njoftoi se së bashku me ministrinë e financave po negociojnë për të marrë një kredi ndërkombëtare për krijimin e stadiumit nacional të Kosovës, megjithatë ende nuk e dinë se në cilin lokacion do të bëhet. Sidoqoftë, plani është që ceremonia e Lojërave Mesdhetare 2030 të bëhet në atë stadium.
“Po investojmë mbi 200 milionë euro për të kompletuar infrastrukturën e futbollit në vendin tonë… Deri në vitin 2028 synojmë që të jemi të parët në rajon, për infrastrukturën e futbollit dhe të jemi vend eksportues i futbollistëve të talentuar. Ndërsa, lajm tjetër i mirë në futboll që aktualisht, me ministrinë e financave jemi duke negociuar kredi ndërkombëtare, për ndërtimin e stadiumit nacional të Kosovës. Ende nuk e dimë lokacionin e saktë sepse, po bëhen analizat se ku do të ndërtohet, mirëpo ajo që e dimë është kjo në këtë stadium nacional do të bëhet ceremonia e hapjes së lojërave mesdhetarë në vitin 2030”, ka thënë Çeku, raporton KosovaPress.