Çekia më e vlefshme se Kombëtarja e Shqipërisë, kompanitë e basteve e favorizojnë skuadrën mysafire - NACIONALE

Çekia më e vlefshme se Kombëtarja e Shqipërisë, kompanitë e basteve e favorizojnë skuadrën mysafire

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kombëtarja e Shqipërisë në futboll sot zhvillon një nga ndeshjet më të rëndësishme të saj, ku përballet me Çekinë në kuadër të kualifikimeve për EURO 2024. Sipas Transfermarkt, mysafirët vlejnë më shumë se kuqezinjtë, ndërsa edhe kompanitë e basteve janë në anën e çekëve sot.

Kuqezinjtë në këtë ndeshje hyjnë nga vendi i parë në grup, me dy pikë më shumë se Republika e Çekisë, që ka një ndeshje më pak të zhvilluar, por me një fitore sot, do t’ia lehtësonin tejet shumë punën vetës për kualifikim në EURO 2024, duke parë se dy ndeshjet e radhës janë të lehta në letër.

Republika e Çekisë, sipas Transfermarkt vlen 125,65 milionë euro, ku mosha mesatare e lojtarëve është 26,3.

Më i vlerësuari në këtë skuadër padyshim që është kapiteni Tomas Soucek, që luan në Premierligë te West Ham United dhe do të jetë rreziku kryesor për kombëtaren shqiptare.

Në anën tjetër, Shqipëria ka vlerë 107,70 milionë euro, pra më pak se 20 milionë euro dallimi. Mosha mesatare te skuadra e drejtuar nga Sylvinho është 27,0.

Lojtari më i vlerësuar është Armando Broja me 28 milionë euro, por i cili do të mungojë sot, ndërsa Kristjan Asllani me 12 milionë euro e Berat Gjimshiti me 10 milionë, janë dy të tjerët që vlerësohen më lartë.

Kompania e basteve favorizon Çekinë

Një nga kompanitë më të njohura të basteve, ‘bet365’, i ka vendosur 3,50 kuotën Shqipërisë për një fitore, me Çekinë që ka kuotën 2,25 e barazimi vlerësohet 3,10.

Kjo do të thotë se kompanitë e basteve janë në favor të Çekisë në këtë ndeshje, kjo edhe për shkak të vlerës së saj në treg, por edhe pasi është kombëtarja e vetme në këtë grup që nuk ka pësuar humbje.

Ndeshja Shqipëri – Çeki do të zhvillohet sot në Air Albania Stadium me fillim nga ora 20:45.

Lajme të ngjashme