Cassano: Amir Rrahmani është lojtar i zakonshëm
Megjithëse ka bërë paraqitje të mira këtë sezon, Amir Rrahmani është lojtar më së i zakonshëm, sipas Antonio Cassanos, ish-sulmuesit italian.
Cassano - i cili ka luajtur për Romën, Interin dhe Milanin dhe i kishte shënuar 10 gola në 39 paraqitje për Italinë - nuk ngurron për t’i dhënë mendimet e veta të sinqerta tani si analist futbolli në Serie A.
Vlerësimi i tij për Rrahmanin vjen pas një paraqitjeje të dobët të përfaqësuesit të Kosovës në disfatën e Napolit 3:2 kundër Fiorentinës në fundjavë, e cila ia zvogëlon mundësitë napolitanëve në një garë të ngushtë trifrontëshe për titull në kampionatin italian.
Paraqitja kundër Fiorentinës ishte më e dobëta e mbrojtësit nga Prishtina në fanellën e Napolit këtë sezon dhe erdhi në kohën më të keqe në përpjekjet e skuadrës së tij për t’i mundur Interin dhe Milanin në garë për titull e parë në Serie A që prej vitit 1990.
Duke folur për Bobo TV të hënën mbrëma, Cassano tha: “Prej katër mbrojtësve të Napolit, vetëm Koulibaly është shumë i fortë. Të tjerët janë lojtarë më së të zakonshëm, përfshirë Di Lorenzon, Rrahmanin dhe Mario Ruin.”
“Rrahmani është lojtar i zakonshëm, megjithëse ka bërë paraqitje të mira deri tani”, shtoi 39-vjeçari.
Rrahmani u fajësua për golin e tretë të Fiorentinës, pasi dështoi ta mbulojë Arthur Cabralin, i cili shënoi dhe e vulosi fitoren e vizitorëve. Kosovari u kritikua edhe nga mediat italiane për golin e tretë të pranuar nga Napoli në stadiumin Diego Armando Maradona.
Disa prej mediave më të mëdha italiane e vlerësuan me notat 4 dhe 5 qendërmbrojtësin 28-vjeçar, duke e kritikuar për lojën e dobët dhe gabimet e kushtueshme në atë takim.
Megjithatë, raportohej se kapiteni i Kosovës kishte qenë me grip para atij takimi.

Rrahmani i ka bërë 28 paraqitje për Napolin në Serie A këtë sezon, duke kontribuuar me tri gola në atë që ka qenë sezoni i tij më i mirë në karrierë deri tani.
Ai e ka formuar një partneritet të fortë me Kalidou Koulibaly këtë sezon, duke ia zënë vendin Kostas Malonasit të Greqisë, që i ka ndihmuar Napolit të luftojë kokë me kokë me Interin dhe Milanin për titull në Serie A.
Milani është lider me 68 pikë, i ndjekur nga Interi dhe Napoli me nga 66. Por kampioni në fuqi Inter e ka një ndeshje më pak të zhvilluar.
Në tetë ndeshjet e mbetura këtë sezon, Rrahmani do të shpresojë ta lërë anash paraqitjen e dobët kundër violës dhe ta përsërisë formën e deritanishme për t’i ndihmuar napolitanëve ta fitojnë titullin e parë në ligë pas 32 viteve.