Carvajal i përgjigjet Xavit dhe Messit: Ky debat për Ligën e Kampionëve ndodh vetëm kur Real Madridi e fiton - NACIONALE

Carvajal i përgjigjet Xavit dhe Messit: Ky debat për Ligën e Kampionëve ndodh vetëm kur Real Madridi e fiton

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Mbrojtësi Dani Carvajal i është përgjigjur trajnerit të Barcelonës, Xavi Hernandez, pasi ky i fundit tha që Ligën e Kampionëve e fiton jo çdo kush që e meriton.

Spanjolli e ka vlerësuar se ky debat është qesharak, sepse ndodh gjithmonë kur Real Madridi fiton një ligë evropiane.

"Mendimet janë të hapura, të gjithë mendimet e tyre. Mendoj se kur ke fituar pesë herë Ligën e Kampionëve në nëntë sezonet e fundit, mendoj që fati rri mënjanë", tha fillimisht ai.

Pastaj, Carvajal iu përgjigj edhe Xavit, njëkohësisht Lionel Messit, të cilin kishin thënë se duhet të kesh fat për të fituar garën me prestigjioze në botë.

"Duke folur për drejtësinë, duhet ta shikosh se të gjithë e kanë mendimin e vetë. Futbolli ka të bëjë me rezultate dhe fiton ai që shënon më shumë gola kundër rivalit dhe pranon më pak. Në këtë, vitet e fundit kemi qenë më të mirët dhe është pak komplekse të flasim për atë që është e drejtë apo jo. Janë rezultate".

“Sezonin e kaluar patëm një Ligë të shkëlqyer dhe një Ligë të Kampionëve me ulje-ngritje, por në momentet kyçe ne dinim të ishim atje, t'i përfitonim ato dhe arritëm të ngrinim kupën. Më argëton sepse ky debat për drejtësinë apo padrejtësinë ndodh gjithmonë kur Real Madridi fiton Kupën e Evropës. Kur të tjerët e fitojnë, duket se meritokracia është e drejtë”, shtoi ai.

Çfarë tha Xavi Hernandez?

Gjatë konferencës së djeshme para ndeshjes kundër Interit, trajneri Xavi Hernandez kishte thënë se Liga e Kampionëve është më e komplikuara sepse me detaje të vogla eliminohesh.

"Mendoj se Liga e Kampionëve është më e komplikuar sepse të gjitha detajet të vendosin jashtë loje. Mendoj se ishte Leo (Messi) që tha se ekipi më i mirë nuk e fiton gjithmonë dhe për këtë arsye, La Liga është më e drejtë".

Ndërkohë, disa fjalë për këto reagime kishte edhe trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti që deklaroi se kur flet për fatin, mundohesh të fshehësh problemet e tua.

"Unë gjithmonë do të doja të fitoja Ligën e Kampionëve. Liga është shumë e rëndësishme, por Liga e Kampionëve është kompeticioni më i rëndësishëm. Ato janë të ndryshme. Njëra është 38 ndeshje dhe tjetra është shumë më pak. Ndonjëherë është një barazim 180-minutësh. Këtu kanë rëndësi detajet e vogla”.

"Nuk është fat apo fat i keq. Ndonjëherë të flasësh për fat fsheh problemet që ke dhe meritat e rivalit. Nëse them që patëm fat të keq kundër Osasuna, do të thotë se i fsheh problemet që patëm me topin dhe paraqitjen e mirë të rivalit. Të flasësh për detaje të vogla është e rëndësishme”.

Lajme të ngjashme