Carlos Tevez: Cristiano është komplet ndryshe nga Messi
Legjenda argjentinase Carlos Tevez thotë se Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi janë dy lojtarë komplet ndryshe.
Tevez është ndër lojtarët e pakët që ka pasur kënaqësinë të luajë me dy lojtarët më të mirë në histori, pasi ishte pranë portugezit gjatë kohës te Man United derisa me Messin te kombëtarja e Argjentinës.
Së fundmi, Tevez është pyetur për Ronaldon dhe Messin dhe ai tregoi se njëri është talent natyral derisa tjetrit iu nevojit të punonte tërë kohën për t’u bërë më i miri.
“Cristiano është komplet ndryshe nga Messi. Kur Leo e nisi karrierën, nuk shkonte në fitnes. Cristiano ishte aty në mëngjes, mesditë dhe mbrëmje. Leo ishte gjithmonë me top”.
“Cristiano duhej të punonte fortë dhe ta përgatiste vetën për t’u bërë më i miri, ishte thjesht natyrale për Leon”, deklaroi ai.
Tevez tani e ka nisur punën si trajner, ndërsa po synon të korrë fillimisht suksese te ekipet argjentinase.
Ndërkohë, Ronaldo vazhdon të shkëlqejë në Arabinë Saudite derisa Messi po pret të nisë sezoni i ri në Major League Soccer (MLS).