Carlo Ancelotti: Nëse nuk dëshiron të lëndohesh, rri në divan - NACIONALE

Carlo Ancelotti: Nëse nuk dëshiron të lëndohesh, rri në divan

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Carlo Ancelotti ka thënë se lëndimet në futboll është e pamundur të parandalohen plotësisht, duke i kritikuar futbollistët që po ankohen për shkak të druajtjeve se mund të mungojnë në Kupën e Botës 2022.

Trajneri italian foli në prag të ballafaqimit të Real Madridit me RB Leipzig në Ligën e Kampionëve sot në mbrëmje.

Ai u dërgoi mesazh të drejtpërdrejt futbollistëve të cilën brengosen se mund të lëndohen pak para fillimit të Kupës së Botës muajin e ardhshëm në Katar.

“Lëndimet ekzistojnë në botën e futbollit. Nëse nuk dëshironi të lëndoheni, qëndroni në divan”, tha Ancelotti në konferencë për media.

“Mund të lëndohesh edhe në stërvitje, gjatë një përplasjeje me një bashkëlojtar. Tani për tani, të gjithë duan të stërvitin. Nëse dikush më thotë se frikësohet, atëherë lë të qëndrojë në shtëpi, të shikojë seri televizive apo film, ka shumë”, nënvizoi ai.

Ancelotti ishte paksa kritik ndaj orarit tejet të ngjeshur të ndeshjeve para Kupës së Botës dhe i lavdëroi futbollistët e vet.

“Është një periudhë shumë intensive e sezonit, me shumë ndeshje, sipas mendimit tim. Ne po mbahemi mirë, megjithëse i kemi disa mungesa. Kupa e Botës vjen në kohën e duhur”, vazhdoi ai.

Ai shtoi: “Nuk besoj se lojtarët po mendojnë për Kupën e Botës, edhe pse duan të shkojnë atje shëndosh e mirë. Në Kupën e Botës shkon mirë nëse ke vazhdimësi.”

Njëri ndër yjet e këtij sezoni për kampionin spanjoll ka qenë Vinicius Junior, i cili e ka zhvilluar çdo ndeshje deri tani dhe shihet si shumë i rëndësishëm për Kombëtaren e Brazilit, por Ancelotti thotë se nuk e ka ndër mend ta pushojë atë.

“Jo, Vini do të luajë. Ai nuk është i lodhur”, theksoi ai.

Lajme të ngjashme