Carlo Ancelotti i tërbuar me penalltinë e Gironës që i kushtoi Real Madridit: E shpikën - NACIONALE

Carlo Ancelotti i tërbuar me penalltinë e Gironës që i kushtoi Real Madridit: E shpikën

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Carlo Ancelotti ka thënë se, siç e quajti, një penallti e shpikur, i kushtoi Real Madridit me barazim 1:1 me Gironën në La Liga të dielën.

Real Madridi kaloi në epërsi përmes golit të Vinicius Junior në minutën e 70-të në Santiago Bernabeu, para se vizitorët nga Girona të fitonin një penallti 10 minuta më vonë kur Marco Asensio u gjykua se e preku topin me dorë brenda zonës së portierit.

Cristhian Stuani shënoi nga pika e bardhë dhe e barazoi rezultatin për Gironën, ndërkohë që Rodrygos iu shfuqizua një gol për ndërhyrje të gabuar në portierin Paulo Gazzaniga dhe Madridi u desh të pajtohej me një barazim, i cili e lë vetëm një pikë para Barcelonës në krye të tabelës në La Liga.

Nuk më pëlqen të flas për këto gjëra, por sot do të flas”, tha Ancelotti në konferencë për media pas ndeshjes, kur u pyet për penalltinë dhe golin e shfuqizuar.

Rasti i parë është shumë e qartë. (Asensio) nuk e preku topin me dorë. Fola më të. E preku me gjoks”, këmbënguli trajneri italian.

Dora e tij e majtë ishte në pozitë të çuditshme dhe nëse e ka prekur topin me dorë, atëherë mund të ketë dyshime. Por ai nuk e preku. Ata e shpikën penalltinë. Rasti i dytë është i diskutueshëm. (Gazzaniga) nuk e kishte topin plotësisht në kontroll. Për këtë mund të keni mendim edhe ju. Ajo që më habiti mua ishte penalltia”, shtoi ai.

Barazimi i djeshëm vjen pas disfatës së parë të Madridit këtë sezon kur u mposht në mesjavë 3:2 nga RB Leipzig në Ligën e Kampionëve.

Kampioni i Evropës dhe i Spanjës nga viti i kaluar do ta ketë mundësinë ta fitojë Grupin F të mërkurën nëse e mposht Celticun, pasi kualifikimin tutje e ka siguruar tashmë.

Skuadra e Ancelottit do t’i zhvillojë edhe dy ndeshje në La Liga – kundër Rayo Vallecanos dhe Cadizit – para pushimit për Kupën e Botës.

“Kjo ishte ndeshje e vështirë, por është normale në këtë kohë (të sezonit). Penalltia e paqenë na kushtoi me pikë”, përfundoi ai.

Lajme të ngjashme