Carlo Ancelotti i hapur për rinovimin me Real Madridin
Trajneri Carlo Ancelotti nuk e ka hedhur poshtë mundësinë për të vazhduar sërish kontratën me Real Madridin.
Tekniku italian ishte lidhur me një largim qysh në verën e kaluar, por i befasoi të gjithë duke e rinovuar kontratën deri në vitin 2026.
Spekulimet për largimin e ndoshta edhe pensionimin s’janë ndalur, me Realin që po e sheh Xabi Alonson si pasuesi adekuat.
“AS” megjithatë raporton se Ancelotti është i hapur për idenë që të rinovojë kontratën përtej vitit 2026, ngase ndihet se ka gjetur rolin perfekt.
Presidenti Florentino Perez gjithashtu e pëlqen shumë Ancelottin, ndërsa stilin e lojës e sheh si perfekte për ekipin madrilen, andaj nëse arrin ta fitojë Ligën e Kampionëve dhe La Liga-n sivjet ekziston mundësia e vazhdimit të bashkëpunimit.
I pyetur për të ardhmen, Ancelotti para disa ditëve insistoi se e do shumë punën e trajnerit.
“Nuk mendoj shumë për të ardhmen, më pëlqen. Është diçka e veçantë, për të zhvilluar 300 ndeshje si trajner i Madridit nuk është pak mrekulli, po thuajse mrekulli”.
“Sigurisht nuk mund ta krahasoni lodhjen time me të lojtarëve. Ka presion, përgjegjësi, por e dua. Nuk shoh ndonjë datë skadimi aktualisht, do të doja të qëndroja këtu për shumë vite”.