Cafu: Të dielën do ta përkrah Argjentinën për shkak të Messit - NACIONALE

Cafu: Të dielën do ta përkrah Argjentinën për shkak të Messit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Njëra prej legjendave të futbollit brazilian, Cafu, është shprehur në lidhje me finalen e Kupës së Botës, që do të zhvillohet të dielën mes Argjentinës dhe Francës. Ai hapur është rreshtuar në përkrahje të Argjentinës për arsye të Lionel Messit.

Rivaliteti mund të jetë marramendës mes Argjentinës dhe Brazilit, por kjo nuk do të thotë që emrat e mëdhenj të futbollit brazilian të mund të qëndrojnë indiferentë përballë një klasi të pastër çfarë ka Lionel Messi.

Së fundi, ishte Cafu ai që deklaroi fare hapur se do ta mbështetë Argjentinën në finalen e Kupës së Botës ndaj Francës. Njeriu kyç që ka bërë që Cafu të rreshtohet kësisoj është Lionel Messi me anë të stilit të tij unik se si luan.

“Do ta përkrah Messin dhe me automatizëm edhe Argjentinën. Messi ka bërë një Botëror shumë të mirë”
, tha ai.

Cafu tregoi se përse Messi është një lojtar i madh: “Argjentina humbi ndeshjen e parë dhe të gjithë iu vërsulën me kritika. Pastaj, papritmas, mori komandën dhe tha ‘mi lërni mua këto’. Më pëlqejnë lojtarët e mëdhenj, si ata që bëjnë dallimin. Messi është ndër ta.”

Ish-mbrojtësi i Roma dhe Milan foli edhe rreth Brazilit. Ai tha se e vetmja e metë e kombëtares braziliane në këtë Kupë të Botës ishin minutat e fundit ndaj Kroacisë.

Një mëkat të madh e cilësoi eliminimin e hershëm të Brazilit nga Kombëtarja e Kroacisë. "Selaçao" llogaritej edhe si kombëtarja favorite për të ngadhënjyer në fund.

Të gjithë reflektorët te Messi

Ashtu siç dihet, Lionel Messi do ta luajë ndeshjen e fundit në Kupën e Botës gjatë kësaj të diele, që përkon të jetë edhe me ndeshjen finale të kësaj ngjarje të madhe futbollistike.

Vitrina e trofeve të fituar nga ylli argjentinas është tejet e pasur, por vetëm ai i Kupës së Botës i mungon. Andaj 35-vjeçari shpreson që ta fitojë më në fund këtë trofe dhe t’i jap vetes e kombit të tij një çlirim të madh, pasi një gëzim i tillë nuk përjetohet në shtetin amerikano-jugor që nga 1986.

Njësoj siç bënte Diego Maradona atëbotë, edhe Lionel Messi shpreson që të jetë lideri i madh i kombëtares së tij që do ta udhëheqë atë drejt një triumfi epik çfarë është Kupa e Botës.

Ndërkohë Argjentina sot zhvilloi edhe një seancë tjetër stërvitore. Kryesisht ishin ata që nuk kanë pasur minutazh gjatë ndeshjes së fundit që bënë stërvitje të plotë, me pjesën tjetër që u kufizua të bëjë fazën e rigjenerimit, duke përfshirë këtu edhe Messin. Vlen të theksohet se Di Maria është 100% gati për të qenë në gatishmëri të përzgjedhësit Scaloni për finalen që do të luhet pas tre ditësh.

Shtatë herë fituesi i Topit të Artë pas përfundimit të ndeshjes gjysmëfinale ndaj Kroacisë deklaroi se po e shijon vërtet shumë këtë momentum, duke thënë se e arritën një cak që dëshironin, duke siguruar kalimin në finale.

Messi deri tani në Kupën e Botës ka fituar katër herë çmimin e futbollistit më të mirë të ndeshjes. Ndërkaq ai ka kontribuar mjaft shumë edhe sa i përket golave të shënuar dhe asisteve, me pesë (5), respektivisht tri (3) sosh në gjashtë ndeshje të luajtura.

Lajme të ngjashme