Bytyqi: Jemi grup i mirë, mund ta arrijmë kualifikimin - NACIONALE

Bytyqi: Jemi grup i mirë, mund ta arrijmë kualifikimin

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Anësori i Kombëtares së Kosovës, Zymer Bytyqi, pas stërvitjes së parë me ekipin kombëtar në kampin nacional në Hajvali në një intervistë për FFK-në tha se ai dhe lojtarët tjerë janë në formë të mirë dhe se kualifikimi në Evropian mund të arrihet.

Bytyqi thotë se edhe pse do të jetë vështirë me Izraelin, por atje do të udhëtojnë për tre pikët, teksa beson në kualifikim pasi grupi sipas tij është shumë i mirë.

“Fillimisht jam i lumtur që sërish jemi bashkë në kombëtare. Pres që të kemi sukses dhe të mund të arrijmë në Evropian. Kemi një grup të mirë dhe besoj që nëse e japim maksimumin tonë mund ta arrijmë kualifikimin. Ndeshja me Izraelin do të jetë shumë e vështirë por edhe ne i kemi lojtarët e mirë dhe e kemi një plan që të shkojmë atje për t’i marrë tri pikë.”

Forma e mirë sipas anësorit të Olympiacosit të atij dhe tërë grupit është shenjë e mirë dhe shpresojnë të vazhdojnë kështu edhe me skuadrat e tyre që pastaj këtë formë ta përcjellin edhe në Kombëtare.

“Jam në formë të mirë e po ashtu edhe lojtarët e tjerë që janë këtu janë në formë të mirë dhe po kalojnë mirë në klubet e veta. Shpresoj të vazhdojmë kështu. Pres përkrahjen nga tifozët tanë ‘Dardanët’, pasi ata na shtyjnë të japim maksimumin tonë për t’i marrë pikët maksimale.”

Kosova gjendet në grupin I së bashku me: Zvicrën, Rumaninë, Bjellorusinë, Izraelin dhe Andorrën.

Ndeshja e parë zhvillohet në udhëtim te Izraeli këtë të shtunë, ndërsa ndeshja e parë kualifikuese për Euro 2024 në Fadil Vokrri zhvillohet të martën më 28 mars.

Lajme të ngjashme