Bukayo Saka për dështimin e Arsenalit në garën për titull kampion: Me të vërtetë dhemb shumë
Ylli i Arsenalit, Bukayo Saka, ka thënë se dështimi i topçinjve në luftën për titull kampion dhemb shumë, por insiston se skuadra e tij është e uritur për të fituar trofe.
Skuadra e Mikel Artetës udhëhoqi garën për titull për një rekord prej 248 ditësh, por pësoi një rënie në formë në fund të sezonit, gjë që i lejoi Manchester Cityt të kompensonte terrenin e humbur dhe të fitonte titullin e tretë me radhë në Premierligë. Në fakt, ata kanë fituar vetëm dy herë në pesë ndeshjet e fundit, duke përfshirë një humbje 4:1 ndaj kampionëve, që mund të konsiderohet si gozhdë e fundit në dështimin e tyre. Saka tani ka pranuar se mënyra se si Arsenali e humbi garën ishte e dhimbshme, por gjithashtu u zotua të ndihmojë skuadrën për të sjellë sukses në klub në të ardhmen.
"Ne po shkojmë në drejtimin e duhur, kështu (duke lëvizur dorën e tij për të nënkuptuar një kthesë lart). Kam parë shumë ndryshime [gjatë viteve]. Natyrisht se duke folur për këtë sezon, dhemb shumë. Më dhemb shumë të mendoj se si e kemi mbyllur këtë sezon dhe çfarë sezoni mund të kishim bërë. Por një gjë që mund të them është, siç thatë ju, që nga dy apo tre vitet e fundit që kam luajtur, e kam parë këtë ekip dhe klubin të rritet," tha ai në një takim me ish-sulmuesin e topçinjve, Ian Wright.

"Koha është në anën tonë. Ju mund të shikoni ekipin tonë dhe shumë nga lojtarët janë të rinj. Ne jemi të uritur, dhe shumë prej nesh nuk kanë fituar trofe në Arsenal kështu që ne duam të arrijmë gjëra të mëdha. Nëse shikoni mënyrën se si flasim të gjithë, ne duam të fitojmë dhe duam të fitojmë këtu, te Arsenali."
Saka, të cilit iu dha një zgjatje e kontratës të martën, kishte qenë në formë të mirë për pjesën më të madhe të sezonit, duke shënuar 13 gola dhe duke bërë 11 asistime, gjë që shpesh e ka bërë atë cak të ndërhyrjeve të ashpra nga mbrojtësit kundërshtarë. Megjithatë, ai këmbënguli se është "mirë" dhe ka atë që duhet për t'u marrë me fizikun për ta përballuar Premierligën.
"Dëgjo, jam mirë. Nuk mendoj se duhet të shqetësohesh për mua. Mendoj se kam gjithçka për të qenë i shëndetshëm, të jem në fushë ndeshje pas ndeshje. Kam qenë në gjendje të luaj çdo ndeshje këtë sezon pavarësisht nga të gjitha ndërhyrjeve gjatë këtyre ndeshjeve, e kështu me radhë," shtoi ai.

Saka me shumë gjasë do të jetë i gatshëm për ndeshjen e fundit të skuadrës së tij si vendas të shtunën kur topçinjtë mirëpresin Wolves në Emirates Stadium.

