Bruno: Mos e përdorni emrin tim që ta sulmoni Ronaldon
Ylli i Manchester Unitedit, Bruno Fernandes, i ka bërë thirrje tifozëve që të mos keqinterpretojnë komentet e tij në rrjetet sociale pas derbit të Manchesterit, që me anë të tyre ta sulmojnë Cristiano Ronaldon.
Bruno zhvilloi ndeshje të plotë ndaj Manchester Cityt, ku djajtë e kuq triumfuan me rikthim të rezultatit dhe njërin nga golat e shënoi mesfushori portugez.
Pas triumfit të madh, 28-vjeçari kishte thënë se skuadra është në rrugën e duhur tani, mesazh ky që u mor kundër ish-lojtarit të Manchester Unitedit, i cili u nda me klubin në nëntor të vitit 2022 me marrëveshje të dyanshme, por vetë mesfushori portugez e ka sqaruar mirë e mirë në Instagram.

“E di që është vështirë ta shohësh Manchester Unitedin duke bërë mirë, por unë nuk kam asgjë tjetër për të thënë përveç gjërave të mia. Mos përdorni emrin tim për të sulmuar Cristianon. Ronaldo ishte pjesë e jona deri në gjysmën e sezonit dhe siç e kam thënë në disa intervista, që çdokush mund ta shohë një skuadër tjetër që nga ndeshja me Liverpoolin, jemi në rrugën e duhur dhe ju mund të shihni rezultatet. Vazhdojmë!”

Fernandes barazoi në minutën e 78-të me anë të një goli që u diskutua shumë, përpara se Marcus Rashford të shënonte golin e fitores, ndërsa Unitedi mundi rivalët e tyre të qytetit pas shumë kohësh. Rezultati i bëri ata të ngjiten në vendin e tretë me 38 pikë nga 18 ndeshje, një pikë më pak se qytetarët.

Mesfushori portugez me shumë gjasë do të jetë me minuta të plota edhe në mesjavë ku djajtë e kuq zhvillojnë ndeshjen e radhës në Premierligë kundër Crystal Palaces.

