Brightoni tallet me Manchester Unitedin pasi e mposhti në Old Trafford - NACIONALE

Brightoni tallet me Manchester Unitedin pasi e mposhti në Old Trafford

1 vit më parë

nga NACIONALE

Brightoni e festoi fitoren 2:1 kundër Manchester Unitedit të dielën duke u tallur me djajtë e kuq në rrjetet sociale pas ndeshjes.

Para kësaj përballje, Brightoni nuk kishte dalë triumfues nga Old Traffordi asnjëherë më parë, por Pascal Gross me dy gola në pjesën e parë u sigurua që klubi ta shijojë fitoren e parë në atë terren, raporton Nacionale.

Pas ndeshjes, Brightoni e përdori rrjetin social Twitter për t’ia shtuar zullumin Unitedit duke e tallur në një postim që mori mbi 200 mijë pëlqime.

“Tamam sikur Brightoni, qyteti juaj është i kaltër”, shkroi Brightoni në Twitter.

Ky thumbim do të dhembë edhe më shumë në pjesën e kuqe të Mançesterit, pasi Manchester City e nisi mbrojtjen e titullit në mënyrë të përkryer duke e mposhtur West Hamin pak pasi Unitedi kishte pësuar humbje.

Erling Haaland e shijoi një debutim të ëndërruar kundër West Hamit, duke i shënuar të dy golat e fitores 2:0. Ai madje e pranoi se ndihet i pakënaqur që nuk shënoi het-trik, pavarësisht se paraqitje e tij ishte mbresëlënëse.

Si u shpreh trajneri Erik ten Hag për disfatën e Unitedit?

“Ne bëmë gabime me topin dhe gabime në organizim në mbrojtje”, tha Ten Hag pas ndeshjes.

“Ne duhet të marrim mësim nga kjo dhe të mësojmë shpejt. Brightoni është ekip i mirë, e përgëzoj, por e shikoj ekipin tim dhe them se ne nuk duhet të falim gola aq lehtë”, nënvizoi ai.

Ai shtoi: “Nuk jam i lumtur, aspak. Ne humbëm dhe nuk ishte e nevojshme. Duhet të luajmë më mirë”.

Manchester Unitedi do të udhëtoj drejt Breantfordit për ndeshjen e dytë të sezonit në Premierligë të shtunën e ardhshme më 13 gusht, para se ta presë në Old Trafford Liverpoolin në ndeshjen e tretë më 22 gusht.

Lajme të ngjashme