Borussia Dortmund fiton derbin ndaj Leipzigut dhe merr kreun e Bundesligas
Borussia Dortmund ka shënuar fitore të ngushtë në derbin ndaj RB Leipzigut në kuadër të xhiros së 23-të në Bundesliga.
"Verdhëzinjtë" triumfuan me rezultat 2:1, në ndeshjen që deri vonë ishte shumë e baraspeshuar.
Pas vetëm 13 minutave lojë, Julian Brandt kaloi Borussia Dortmundin në epërsi, por pas rishikimit të VAR-it goli u anulua shkaku i një prekje të topit me dorë në ndërtimin e aksionit.
Ishte Marco Reus që kaloi Dortmundin në avantazh duke qenë i saktë nga pika e bardhë pas një ndërhyrje të Janis Blaswich brenda zonës që shkaktoi 11-metërsh.
Ndërsa, mesfushori Emre Can me një gol tejet të bukur nga distanca dyfishoi epërsinë e Dortmundit duke qetësuar tifozët vendas.
Në pjesën e dytë, Leizpig e nisi shumë më mirë duke pasur raste me anë të Andre Silvas, që gaboi dy herë nga afërsia.
Ishte suedezi Emil Forsberg që ngushtoi epërsinë duke qenë i saktë nga afërsia pas një asistimi të David Raum (71').
Kështu, Dortmund merr kreun e kampionatit gjerman me 49 pikë të mbledhura, derisa Leipzig renditët në pozitën e katërt me 42 sosh.