Borussia Dortmund "demolon" Wolfsburgun, tani një pikë larg Bayern Munichut
Borussia Dortmund ka shënuar fitore të thellë në shtëpi ndaj Wolfsburgut, në kuadër të xhiros së 31-të në Bundesliga.
"Verdhëzinjtë" triumfuan me rezultat 6:0 për t'iu afruar edhe më shumë Bayern Munichut në kreun e Bundesligas.
Pas vetëm 14 minutave lojë, Karim Adeyemi pas një harkimi të Julian Ryerson shënoi me kokë për të kaluar Dortmundin në epërsi.
Ndërsa, qendërsulmuesi Sebastian Haller shënoi një gol nga afërsia për të dyfishuar epërsinë pas një asistimi të Adeyemit (28').
Nëntë minuta më vonë, Donyell Malen u përkujdes për golin e tretë pas një asistimi të Julian Brandt, ku e kishte të lehtë të shënonte në portën e zbrazur (37').
Dominimi i Dortmundit vazhdoi me Jude Bellingham që realizoi eurogol nga distanca, që la të shtangur portierin mysafir (54').
Adeyemi pesë minuta më vonë shënoi golin e dytë personal nga afërsia pas një asistimi të Haller (59').
Kurse, fitoren e vulosi Bellingham katër minuta pa përfunduar koha e rregullt, duke vulosur epilogun e fundit prej 6:0.
Me këtë fitore, Dortmund renditet në pozitën e dytë me 64 pikë, një më pak se lideri Bayern Munich derisa Wolfsburg zë vendin e shtatë me 46 sosh.