Bordi i FBK-së merr vendime më të ‘ashpra’ pas incidentit në Superkupën e Kosovës
Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme sot më 15 dhjetor, ku ka shqyrtuar situatën aktuale në basketbollin vendor, në krye me rastin e fundit që pati përleshje masive në Superkupën e Kosovës. Në këtë mbledhje janë marrë vendime më të ashpra se dje, ku klubet e lojtarët u dënuan me shumë simbolike.
Dje informatori i FBK-së dha njoftimin se ka shqiptuar dënime ndaj skuadrave të përfshira në incident, e që ishin dënime qesharake duke parë se në çfarë kushte u zhvillua një ndeshje e rëndësisë së lart për basketbollin kosovarë.
Vendimet e marra sot nga Bordi janë:
-Të kufizohet numri i ulëseve në terren, në varësi të konfigurimit të palestrës, për të garantuar moscenimin e terrenit nga publiku i pranishëm;
-Të mos lejohet pengimi i pjesëmarrësve të ndeshjes nga publiku i pranishëm përreth terrenit të lojës;
-Të shtohen masat e sigurisë dhe kontrollet për publikun, duke ndaluar futjen e çfarëdo mjeti që mund të rrezikojë sigurinë e pjesëmarrësve dhe shikuesve;
-Të emërohet një komesar i sigurisë për çdo ndeshje, i cili do të garantojë mbarëvajtjen e ndeshjeve dhe organizimit;
-Para secilës ndeshje, organizatori të paraqesë planin e sigurisë me shkrim tek Komesari i Garave, i cili të njëjtin ia përcjell tutje delegatit të ndeshjes, gjyqtarit kryesor dhe komesarit të sigurisë;
-Të zbatohen me përpikëri Propozicionet e Garave dhe Rregullorja e Garave të FBK, duke garantuar, mes tjerash:
--6.1 Zbatimin e dispozitave që rregullojnë ndalesën e sharjeve në kor;
--6.2 Zbatimin e dispozitave që rregullojnë hedhjet në terren, përfshirë edhe hedhjen e mjeteve të cilat nuk rrezikojnë jetën apo shëndetin e pjesëmarrësve;
--6.3 Zbatimin e dispozitave që rregullojnë intonimin e himnit shtetëror;
--6.4 Zbatimin e dispozitave që rregullojnë garantimin e sigurisë në terren, përfshirë rastet e mospërputhjes së veprimit të organizatorit në pajtim me ligjet e zbatueshme dhe planin e sigurisë;
-FBK dhe klubet të organizojnë fushatë të përbashkët vetëdijesuese për pasojat e veprimit në kundërshtim me propozicionet e garave.
-FBK dhe klubet të organizojnë xhirimin e keqsjelljes së personave të pranishëm në terren dhe të koordinohet ndarja e imazheve me organet e ndjekjes dhe zbatimit të ligjit.
-Të vazhdojë ndalesa e udhëtimit të tifozerive mysafire për të gjitha aktivitet sportive të organizuara nën ombrellën e FBK-së.
-Organizimi i Kupës së Kosovës të bëhet pa spektatorë.
-Ndalohet rreptësishtë shitja dhe konsumi i pijeve alkoolike konform Ligjit për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive.
-Gjithashtu Bordi i FBK-së zotohet se do t’i zbatojë në përpikëri rekomandimet e Këshillit për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive:
-Të ndalohet pjesëmarrja në mënyrë të organizuar dhe me çfarëdo shenje dalluese e të gjitha grupeve të tifozëve në ndeshjet e basketbollit, të cilat organizohen nga Federata e Basketbollit të Kosovës, deri në një njoftim tjetër;
-Kërkohet nga të gjitha grupet e tifozëve të cilët deri më tani nuk janë regjistruar tek Departamenti i Organizatave Joqeveritare (DOJQ) në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ta bëjnë këtë gjë në afatin më të shkurtër kohor, dhe pas regjistrimit ta deponojnë listën me emrat e kryesisë dhe emrat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit të OJQ-së tek Drejtoria për Sport e Komunës përkatëse;
-Kërkohet nga Federata e Basketbollit të Kosovës që të aplikojë me rigorozitetin maksimal të gjitha dispozitat normative përkatëse që janë në kuadër të Propozicioneve të Garave të FBK-së.
-Kërkohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që ta përfshijë në planifikimin buxhetor për vitin 2023 vendosjen e sistemit të kamerave të sigurisë në të gjitha palestrat sportive, ndërsa në vazhdim të procesit vendosja e kamerave të sigurisë të bëhet edhe në të gjitha stadiumet e futbollit.
