BNE-ja e jashtëzakonshme, e arrin kualifikimin direkt në Legends Stage të Paris Major - NACIONALE

BNE-ja e jashtëzakonshme, e arrin kualifikimin direkt në Legends Stage të Paris Major

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Bad News Eagles kanë bërë punë të jashtëzakonshme, pasi me fitoren e sotme ndaj GamerLegion, janë kualifikuar direkt në fazën ‘Legends Stage’ të Paris Major, që është gara e fundit e madhe sa i përket CS:GO-së.

BNE-ja bëri paraqitje të mrekullueshme dje ndaj organizatës së dytë më të mirë në botë, FaZe, të cilët i mposhtën me rezultat të përgjithshëm 2:0 për të siguruar kualifikimin edhe në një Major, ndërsa sot kjo përballje u zhvillua për një kualifikim në një fazë më të avancuar.

Organizata GamerLegion pati rekord të njëjtë me djemtë nga Kosova dhe formula e kualifikimit i përballë dy skuadrat me rekorde 3:1 për të vendosur vendin e katërt.

Kjo përballje me skuadrën me bazë në Evropë u zhvillua në tre harta, përkatësisht në Mirage, Ancient dhe Vertigo.

Në hartën e preferuar të tyre, pra në Mirage, BNE-ja ishte e pandalshme duke fituar bindshëm 16-7, ndërsa GamerLegion barazuan gjithçka me një fitore të ngushtë në Ancient me rezultat 16-14.

Harta vendimtare ishte Vertigo, ku BNE-ja ishte e jashtëzakonshme duke fituar në të dy pjesët bindshëm, për rezultatin final 16-7 apo 2:1 me harta.

Në tre hartat sot, dallimin e bëri Flatron ‘juanflatroo’ Halimi, duke arritur 69 vrasje me një vlerësim prej 1.36, i ndihmuar edhe nga Genc ‘gxx-’ Kolgeci që kishte 59 vrasje dhe vlerësim 1.21.

Tani Bad News Eagles është kualifikuar në Legends Stage, aty ku do të përballen skuadrat më të mira të botës për çmimin e madh prej 500 mijë dollarë.

Lajme të ngjashme