Besiktasi i Rashicës e Muçit barazon në dramën e gjashtë golave në udhëtim te Lugano
Besiktasi i Milot Rashicës e Ernest Muçit nuk ka arritur më shumë se një barazim 3:3 në udhëtim te Lugano, në ndeshjen e vlefshme për një vend në Ligën e Evropës.
Rashica luajti nga minuta e parë, teksa në minutën e 71-të u zëvendësua pikërisht nga Muçi te skuadra turke, teksa te zviceranët startoi Shkëlqim Vladi i Kombëtares së Kosovës, teksa nga minuta e parë ishte edhe 'tradhtari' i Dardanëve, Uran Bislimi, që shënoi edhe gol.
Besiktasi kaloi e para në epërsi me Fernandes në minutën e 21-të, për rezultatin 1:0.
Por, Lugano u kundërpërgjigj në minutën e 34-të me Uran Bislimin, me pjesën e parë që mbaroi me rezultatin 1:1.
Skuadra turke shënoi dy gola të shpejtë me të filluar pjesa e dytë. Fillimisht Fernandes shënoi golin e dytë personal në minutën e 52-të, teksa Al Musrati tre minuta më vonë realizoi për 3:1.
Por sërish kishte reagim të shpejtë te zviceranët, ku Steffen ngushtoi epërsinë në 3:2 në minutën e 56-të, teksa në 64-të me autogolin e Paulistas u barazua rezultati në 3:3.
Deri në përfundim të ndeshjes ndryshim në rezultat nuk pati, dhe tani gjithçka do të vendoset në ndeshjen e kthimit në Turqi, me takimin që zhvillohet më 29 gusht me fillim nga ora 20:00.