Benzema: Agjërimi më përshtatet, s’luaj për të qenë më i miri në botë por për net si kjo - NACIONALE

Benzema: Agjërimi më përshtatet, s’luaj për të qenë më i miri në botë por për net si kjo

4 vjet më parë

nga NACIONALE

“Unë nuk luaj futboll për të qenë më i miri në botë, unë luaj për net si kjo”, kështu e përshkroi Karim Benzema het-trikun e dytë radhazi në Ligën e Kampionëve të mërkurën në Londër. Ai kishte agjëruar gjatë ditës para ndeshjes.

Kur het-triku i tij kundër Paris Saint-Germainit për ta dërguar Real Madridin në çerekfinale u duk i papërsëritshëm, sulmuesi francez e pushtoi stadiumin Stamford Bridge me tri gola të tjera në ndeshjen pasuese për t’i dhënë skuadrës së Carlo Ancelottit një epërsi komanduese për ta arritur gjysmëfinalen.

“Agjërimi më përshtatet shumë mirë”, kishte thënë Benzema për gazetën Esquire dy ditë më parë. Dhe e vërteta është se paraqitja mahnitëse e tij mbrëmë në Londër e dëshmon këtë. Jo vetëm për golat por edhe për paraqitjen fizike të tij. Me vrapimet e tij të palodhshme i ndihmuan t’ua vjedhë topin Antonio Rudigerit dhe portierit Edouard Mendy për ta kompletuar het-trikun dhe për ta përfunduar edhe një natë tjetër magjike këtë sezon.

Çmimi Topi i Artë do të ndahet pas disa muajve dhe emri i tij i prin tashmë listës së favoritëve. Vetëm Robert Lewandowski, i cili i ka 12 gola në Ligën e Kampionëve këtë sezon, shihet si kërcënimi i tij serioz.

Evropa dorëzohet para tij

Rreth orës 23:00 të mërkurën, kokat më të mëdha të futbollit evropianë kishin një protagonist të qartë.

L’Equipe: “Ta shijojmë Karimin” dhe “T’ia heqim kapelën Benzemas”, Le Parisien: “Benzema e trondit Chelsean”, La Gazzetta dello Sport: “Benzema, Zoti i Ligës së Kampionëve”, Bild: “Benzema e shkatërron Tuchelin”.

Duke folur për BT Sport, legjenda angleze Rio Ferdinand tha: “Benzema është 34-vjeçar dhe ai është sulmuesi më i mirë në botë”.

“Benzema ma kujton Di Stefanon. Ai krijon, shënon gola madhështorë dhe është lider në fushë”, tha Fabio Capello, ish-trajneri i njohur italian.

Benzema i ka shënuar 37 gola në 36 ndeshje, më shumë se një gol për ndeshje, dhe dy het-trika radhazi në Ligën e Kampionëve, deri tani këtë sezon.

Lajme të ngjashme