Benitez: Nuk më lanë të fitoja te Real Madrid, gati e pamundur të rikthehem aty
Trajneri Rafa Benitez është rikthyer të flet për kohën e tij te Real Madridi, duke thënë se klubi nuk e lejoi të fitonte pasi e shkarkuan para kohe.
Benitez momentalisht është pa skuadër por e vlerësoi afërsisht si të pamundur rikthimin te "Los Blancos".
Në një intervistë për "Cadena Ser dhe Onda Cero", Benitez bëri me dije se do ta refuzonte Barcelonën por jo edhe Atletico Madridin.
"E di si të analizoj dhe shikoj shumë më mirë. Duhet të shoh nëse ke mbështetje, nëse ka para... por nuk është e lehtë ta gjesh projektin e drejtë".
"Nuk do ta stërvis Liverpoolin sepse Klopp është aty dhe po ia del mirë dhe në skuadrat e mëdha nuk jam në gjendje të shkoj te disa sepse kam qenë te rivalët".
"Ka disa skuadra që nuk do të nënshkruanin asnjëherë me mua sepse kam qenë te rivali. Nuk mund të shkoj te Barcelona, Atletico do të ishte diçka tjetër".
Benitez ishte te Real Madrid për vetëm 18 ndeshje pastaj u shkarkua, lidhur me këtë kohë ai tregoi se klubi madrilen nuk e la të fitonte.
"Në kohën time te Real Madrid nuk na lejuan të fitonim. Ishim të parët në Ligën e Kampionëve, kompeticion që klubi e fiton. E bëmë punën tonë. Në kupë u eliminuam shkaku i gabimeve administrative të Cheryshev. Aty dukej faji im sepse nuk isha aty. Skuadra ishte fizikisht superiore ndaj rivalit. Kur u largova isha dy pikë para Barcelonës me një ndeshje më pak. Dy muaj më vonë Reali ishte 12 pikë prapa Barcelonës".

Në dhjetorin e vitit 2015, Komiteti garues pranoi ta eliminoi Real Madridin nga Kupa e Mbretit shkaku i rreshtimit jo të duhur të Denis Cheryshev në ndeshjen ndaj Cadizit. "Los Blancos" humbën në tavolinë dhe u gjobitën me 6 mijë e 1 euro.
"Në Kupë na eliminuan shkaku i një gabimi administrativ. I paralajmërova tre herë dhe prapë gabimi administrativ u bë dhe kjo dukej faji im edhe pse nuk isha aty".
62-vjeçari pastaj komentoi edhe dhomën e zhveshjes në vitin 2015 duke treguar se lojtarët që ishin në stol ankoheshin nëpër media për ta vendosur trajnerin në pozitë të keqe.
"Kur arrita në Madrid, Ancelotti sapo ishte larguar dhe kishte lidhje të shkëlqyer me lojtarët. Ishte një pozitë jo e mirë që u ndjek pastaj nga largimi i Casillas, Navas, arrestimi i Benzemas. Ishin situata të komplikuara dhe kur komplikohet situata kush paguan? Unë. Cristiano duke e ditur si ishte duhej ta mbroje. Problemi ishte se kur mbroje shtatë lojtarë, disa të tjerë nuk luajnë, nuk janë të lumtur dhe shkojnë te mediat për ta treguar".

Benitez gjithashtu mohoi spekulimet se i patë thënë Modricit të mos gjuajë nga distanca, ose ta mësojë Ronaldon si të gjuante gjuajtjet e lira.
"Një herë i kam thënë Modricit që nga tre metra distancë të godiste në portë. Ishte koment në stërvitje, por pastaj kur del jashtë ndryshohet. I vetmi koment që i bëra Cristiano Ronaldos, pasi e njoha nga Manchester United, është që ne duhet të analizojmë si i gjuan gjuajtjet e lira. E shikojmë trajektoren, në mënyrë që të mos e harrojmë. Është biseda ime e vetme me të. Gjithçka tjetër është gënjeshtër. Kur gjuante gjuajtjet e lira, kur u largova statistikat e tij u bën të këqija. Isha i befasuar që gazetarët që i njoha thanë ato gjëra pa biseduar me mua".
Pas shkarkimit të Benitez, Real Madrid punësoi Zinedine Zidane i cili hyri në histori duke fituar tre herë radhazi Ligën e Kampionëve.